1 korrik 2015 –Skuadrat Shqiptare kanë garuar në kompeticionet europiane që nga sezoni 1962-1963 kur Partizani luajti në Kupën e Kampionëve. Që nga ajo kohë skuadrat tona kanë marë pjesë në të gjitha kompeticionet Europiane duke përfshirë edhe kupën Intertoto. Tirana, Partizani, Dinamo, Vllaznia, Flamurtari, Skënderbeu, Kukësi, Teuta, Besa, Elbasani, Laçi, Albetrol, Apolonia, Tomori dhe Bylis janë skuadrat shqiptare që kanë përfaqësuar futbollin tonë në arenën Europiane.
Ekipi me më shumë pjesëmarje në Europë është Tirana që regjistron 26 pjesëmarje me 70 ndeshje të luajtura, tek të cilat ka arritur 15 fitore kundrejt 43 humbjeve. Bardheblutë kanë rekordin e 11 kualifikimeve në Champions League, Kupën e Kupave dhe Europa League teksa 3 herë kanë arritur në 16 më të mirat e Europës falë edhe skemës së atyre viteve.
Ndërkohë skuadra që ka kaluar më shumë ture në arenën Europiane është Kukësi, që në debutimin në arenën kontinentale kaloi 3 raunde në Europa League. Vllaznia është skuadra e dytë shqiptare që ka numrin më të madh të kaulifikimeve me 5 raste ku kanë kaluar raundin e parë. Më pas vijojnë Flamurtari, Dinamo, Besa, Teuta, Skënderbeu dhe Laçi me të paktën nga një herë të kualifikuara pas raundit të parë. Sukseset më të mëdha skuadrat shqiptare i regjistrojnë ndaj atyre malteze, që në 12 takime kanë regjistruar 7 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje.
Pikërisht ndaj maltezëve janë regjistruar dhe fitoret më të thella, pasi Tirana ka fitoren më të thellë në Shqipëri 5-0 ndaj Sliema Wanderers më 1989 në Kupën e Kampionëve, ndërsa Vllaznia ka triumfuar në Maltë ndaj të njëjtit kundërshtar me rezultatin 0-4 në 1987 në Kupën e Kupave.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/