Shqiptarët e dënuar me burg në Itali janë ndër më të shumtit në numër duke u renditur të dytët pas të burgosurve marokenë. Këto janë statistikat e Ministrisë së Brendshme Italiane.

Në Itali rezultojnë 2596 të burgosur shqiptarë, nga këto, 20 janë femra.  Ata përbëjnë 13.1 % të numrit të përgjithshëm të të burgosurve me shtetësi të huaj në Itali duke u renditur pas të burgosurve nga Maroku që përbëjnë 18.6 % të tyre.

Numri i të burgosurve shqiptarë në Itali është në përqindje të barabartë me të burgosurit rumunë, por në një përqindje disa herë më të lartë në krahasim me numrin e përgjithshëm të emigrantëve shqiptarë që ndodhen në Itali.

Instituti Italian i statistikave në Itali ka llogaritur në vitin 2017 se ka 448 407 mijë emigrantë shqiptarë që përbëjnë 8.8% të numrit të përgjitshëm të komunitetit të huaj. Ndër ta 2596 janë të burgosur.

Shumica e shqiptarëve të dënuar me burg janë të akuzuar për trafik droge, shfrytëzim prostitucioni e grabitje, shkruhet në raportin e Ministrisë Italiane.