6 shtator 2015 – Portugalia vjen si favorite në Shqipëri për sfidën që mund të vendosë shumë për kualifikimin e kuqezinjve në Euro 2016, jo vetëm për faktin që luzitanët kanë në përbërjë Cristiano Ronaldon, por edhe duke i bazuar te historiku i përplasjeve mes dy përfaqësueseve. Shqipëria në tre përballjet e fundit ka mundur të marrë një fitore, një barazim dhe një humbje, por në total statistikat flasin në favor të luzitanëve. Përplasja e parë daton në shtator të 1996-s, në kuadër të eliminatoreve të botërorit. Në Qemal Stafa portugezët triumfuan 0-3 me gola të Figos, Helder dhe Rui Costas. Në qershor të vitit 1997, në takimin e kthimit që u zhvillua në Lisbonë, vendasit fituan 2-0 falë finalizimeve të Joao Pintos dhe Luis Figos.

Në vitin 2003, është luajtur miqësorja e vetme me Portugalinë, e cila fitoi me përmbysje në Lisbonë me rezultatin 5-3. Për kuqezinjtë shënoi dy herë Adrian Aliaj dhe Igli Tare. Shorti i vuri përballë njëra-tjetrës edhe në eliminatoret e botërorit Afrikë e Jugut 2010. Në takimin e parë të zhvilluar në Braga, kuqezinjtë rezistuan për rreth 60 minuta me një lojtar më pak, duke marrë një barazim historik 0-0. Në takimin e kthimit në Tiranë, Shqipëria ishte shumë pranë barazimit të dytë, teksa rezultati ishte mbërthyer në barazim 1-1, ku për kuqezinjtë kishte shënuar Erjon Bogdani, por në kohën shtesë Bruno Alves përfitoi nga një dalje e gabuar e Isli Hidit, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij. Fitorja në Aveiro falë golit të Bekim Balajt në ndeshjen e parë eliminatore të Europianit është e vetmja e arritur ndaj Portgulisë, që në total kryeson me 4 fitore, një barazim dhe një humbje me golaverash të përgjithshëm 12/5. 

/portali DurresLajm/