Nëse në letër, shorti i grupeve të Euro 2016 krijoi një atmosferë relativisht pozitive dhe Shqipëria do të provojë të realizojë një tjetër surprizë në Francë, statistikat tregojnë se duhet bërë kujdes. Kuqezinjtë mbeten skuadra me koeficientin më të ulët të grupit dhe historia përballë rivaëve i pozicionon në pozita jo fort komode.

Përballë organizatorëve të Francës, Shqipëria numëron gjashtë përballje.4 humbje nga 1990-ta deri në fillim të viteve 2010. Më pas dy rezultate historike, pikërisht në kualifikueset e Euro 2016 në Grupin I, ku u luajtën dy miqësore ndaj “gjelave”. Barazimi i 14 Nëntorit 2014 në Rennes, në një stadium të veshur kuqezi, u pasua nga fitorja historike 1-0 në Elbasan Arena më 13 Qershor të këtij viti, me golin e Ergys Kaçes. Në total, Shqipëria ka shënuar 3 gola në portën franceze, ndërsa ka pësuar 12 të tillë.

Edhe me Zvicrën, Shqipëria është përballur vetëm 6 herë, për një total prej pesë humbjesh dhe një barazim 1-1 në Tiranë, në sfidën e vitit 2002 të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian, ku Edvin Murati iu përgjigj golit të Murat Yakin. Vetëm 4 gola të shënuar për Kombëtaren dhe 11 të pësuar. Prej gjashtë lojtarëve me origjinë shqiptare që militojnë te Zvicra dhe komunitetit të madh të bashkëkombasve tanë në këtë vend, kjo sfidë cilësohet me të drejtë një “derbi shqiptar”. Këtë e konfirmoi sfida e 11 Shtatorit 2012 në Lucernë, ku në tribunat e stadiumit dominonin ngjyrat kuqezi me 10 mijë tifozë të pranishëm.Rumania është skuadra me të cilën Shqipëria është përballur më së shumti në historinë e futbollit: plot 18 përballje. Rumunët janë dukshëm në avantazh me 13 fitore, tre ndeshje janë ndarë në barazim, ndërsa kuqezinjtë kanë dy fitore. Por, një prej suskeseve, ai i 13 Tetorit 1946 është më i rëndësishmi. Në përballjen e parë mes dy vendeve, Shqipëria fitoi 1-0 me golin e Qamil Teliti në finalet e Kampionatit Ballkanik, të fituar nga Shqipëria.

Përballë Rumanisë kuqezinjtë kërkon të ndryshojnë trendin e rezultateve, pasi nuk fitojnë prej 68-vitesh, për herë të fundit më 1948-ën në Bukuresht. Edhe golavarazhi është më i dobti i sfidave në arenën ndërkombëtare me 11 rrjeta të realizuara dhe 45 të pësuara. Në tre përballjet e fundit Shqipëria ka barazuar dy herë ndaj Rumanisë në kualifikueset e Euro 2012, 1-1 më 3 Shtator 2010 në Piatra Neamţ dhe me të njëjtin rezultat në Tiranë më 11 Tetor 2011. Dueli i fundit është miqësorja e luajtur në Zvicër në Maj të 2014-ës, ku rumunët fituan minimalisht.