17 dhjetor 2013- Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian janë të ndarë në qëndrimet lidhur me propozimin e Komisionit Europian, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, pavarësisht se të gjithë njohin përparimin e bërë.
Ndërsa shumica e tyre janë në favor, burime diplomatike i thanë "Zërit të Amerikës", se pesë shtete anëtare, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka, kanë propozuar në mbledhjen e pasdites së sotme, një ndryshim në tekstin e projekt përfundimeve, ku kërkojnë që statusi të jepet qershorin e ardhshëm.
“Këshilli mirëpret veprime të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe angazhimin e qeverisë së re për të intensifikuar përpjekjet në këtë fushë. Këshilli shpreson të marrë një vendim lidhur me dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë në qershor 2014, në varësi të miratimit nga Këshilli Evropian, me kusht që Shqipëria ta vazhdojë përparimin inkurajues të arritur deri tani”, lexohet në tekstin e propozuar nga 5 shtetet anëtare, ku janë dhe ato me peshën me të madhe në Bashkimin Europian.
“Këshilli do të shqyrtojë mbi bazën e një raporti që do të paraqitet nga Komisioni në muajin qershor, zbatimin e qëndrueshëm të strategjive për luftën kundër korrupsionit dhe reformën juridike, të legjislacionit të miratuar kohët e fundit si dhe të prirjes në vazhdim për hetimet dhe ndjekjet ligjore aktive, duke përfshirë ato në fushën e krimit të organizuar”, përfundon teksti i propozuar.
Javën e kaluar, tetë vende anëtare, përmes një letre drejtuar presidencës lituaneze të BE-së dhe Përfaqësues së lartë për politikën e Jashtme, Catherine Ashton, u shprehën në favor të statusit për Shqipërinë duke vlerësuar se ajo i kishte përmbushur detyrimet e saj.





