Tiranë, 26 maj 2014 – Pas takimeve të zhvilluara me zyrtarë të lartë në Holandë, kryeministri Edi Rama tha se sot ka më shumë arsye për të marrë statusin e vendit kandidat në qershor.
“Ne kemi bindjen që Progres-Raporti do të jetë baza e gjykimit të gjithë vendeve anëtare. Duam të besojmë deri në fund se asnjë nga vendet anëtare nuk do t’i bishtnojë pikërisht atij angazhimi të marrë bashkërisht në dhjetor, se do të duhet një Raport tjetër për të treguar se progresi i madh i vënë re në muajt e parë të qeverisjes është konsoliduar dhe kjo do të mjaftonte që vendet anëtare të shprehen.”– shprehet Rama në një prononcim për media.
Kryeministri thekson se Europa është gjithmonë e më pak e parashikueshme, dhe gjithmonë e më shumë e lidhur në rrugën e të ardhmes së vetë me problemet e të sotmes.
Prononcimi i plotë i Ramës
Takime intensive, bashkëbisedim i hapur, dëshirë nga ana e miqve dhe partnerëve holandezë për të na dëgjuar deri në fund. E mbi të gjitha, sinqerisht, krenari për punën e bërë në gjithë këta muaj, e cila jo vetëm shihet dhe jo vetëm vlerësohet, por përbën një bazë shumë solide për të folur hapur dhe për të kërkuar atë që na takon. Atë që na takon, që duhet ta kishim marrë që në dhjetor, ka më shumë arsye për ta marrë në qershor, dhe që shpresojmë se me fundin e zgjedhjeve europiane do të jetë më e lehtë për të mos e lënë pre të debateve dhe paragjykimeve të brendshme të disa vendeve anëtare, siç ndodhi në dhjetorin e kaluar dhe siç është fare e qartë, sot e gjithë ditën, për të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe për të gjithë ata që njohin sadopak si funksionon Europa e sotme.
Ne kemi bindjen që Progres-Raporti do të jetë baza e gjykimit të gjithë vendeve anëtare. Duam të besojmë deri në fund se asnjë nga vendet anëtare nuk do t’i bishtnojë pikërisht atij angazhimi të marrë bashkërisht në dhjetor, se do të duhet një Raport tjetër për të treguar se progresi i madh i vënë re në muajt e parë të qeverisjes është konsoliduar dhe kjo do të mjaftonte që vendet anëtare të shprehen.
Të shohim, sepse Europa është gjithmonë e më pak e parashikueshme, dhe gjithmonë e më shumë e lidhur në rrugën e të ardhmes së vetë me problemet e të sotmes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





