MELBOURNE– Sloane Stephens po e shijon çdo sukses, sidomos kualifikimin në çerekfinale të Grand Slam turneut "Australian Open", pasi të hënën mposhti tenisten serbe Bojana Jovanovski me 2:1 në sete (6:1, 3:6, 7:5).

Stephens 19-vjeçare dhe e vlerësuar si pasardhësja e Serena Williamsit nuk i është gëzuar fitores aq shumë sa çastit kur në korridoret e çdo arene të kësaj gare është vënë fotografia e saj bashkë me ato të shtatë çerekfinalisteve të tjera.

Në turneun "Australian Open" është traditë që tetë tenisteve dhe tenistëve më të mirë t'u ngjiten fotografitë në muret e korridoreve të arenave ku luhen meçet. Këtë emocion e ka përjetuar edhe tinejxherja amerikane.

"Tash fotografia ime është në mur dhe gjëja e parë që do të shoh rrugës për në fushë do të jetë ajo. Është një gjë e mirë, pasi tash jam në mesin e tetë tenisteve më të mira". 

Për amerikanen, ky është Grand Slami i parë që merr pjesë, pasi deri më tash luante në konkurrencën e junioreve dhe e dominoi atë për një kohë.