NJU-JORK, 10 mars 2013 –Sërish stereotipi i Hollivudit, shqiptarët si vrasës me pagesë në filmin “Një më pak” (anglisht: “Dead Man Down”), filmi i ri dramatik me temë nga bota e krimit (termi: “neo-noir thriller crime film”) i regjisorit danez Nils (Niels) Arden Oplev, ku në rolet kryesore interpretojnë  Kolin (Colin) Farrell dhe Numi Rapas (Noomi Rapace). Premiera e filmit u bë 8 mars 2013.

Krimineli Viktor (Kolin Farrell) është dora e djathtë e baronit të krimit në Nju Jork.

Ai kërkon të hakmerret për vdekjen e gruas dhe së bijës, që u vranë me urdhër të shefit të tij Alfons Hojt (Alphonse Hoyt) interpretuar nga Terrens Hauard (Terrence Howard).

Viktori, një lojtar në ngritje në botën e gangsterëve, ka depërtuar në perandorinë e krimit të drejtuar nga i pamëshirshmi Alfons Hojt, me qëllimin e vetëm për ta bërë Alfonsin të paguajë për shkatërrimin e jetës së tij dikur të lumtur.

Ndërsa po organizon me kujdes hakmarrjen nga maja e shtëpisë së vet, Viktorin e shikon dhe e ndjek Beatrisa (Beatrice), një femër misterioze në moshë të re që banon në një apartament përballë tij.

Në sipërfaqe një femër e brishtë-fëmijë, Beatrisa zien nga brenda si e tërbuar.

Kur zbulon sekretet e errëta të Viktorit, ajo e kërcënon me demaskim nëse ai nuk e ndihmon në hakmarrjen që ka ndërmend të bëjë.

Secili i fiksuar në hakmarrjen për të kaluarën, ata përpunojnë një plan të dhunshëm dhe spastrues që mund të ndryshojë përgjithmonë botët e tyre.

Por tërheq vëmendjen se dhe ky film nuk shpëton nga stereotipi i sotëm i filmave hollivudianë për paraqitjen në dritë të zezë të shqiptarëve.

Në filmin “Dead Man Down” shqiptarët janë një bandë që vrasin me pagesë e aty flitet edhe shqip nëpërmjet aktorit me origjinë kosovare nga Gjakova, 47-vjeçarit Xhejms (James) Biberi (ose Biberaj).

Filmi me kohëzgjatje 110 minuta, ka pasur një buxhet prej 30 milionë dollarësh.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/