Gjykata e lartë e Japonisë ka vlerësuar si jokushtetues një ligj i cili parashikonte sterilizimin e dhunshëm të 16 500 personave me aftësi të kufizuara midis viteve 1950 dhe 1990.
Gjykata e Lartë urdhëroi gjithashtu qeverinë të paguajë dëmshpërblime për 11 viktima të këtij projektligji. Vendimi historik i së mërkurës i jep fund një lufte prej dekadash për drejtësi nga njerëzit që kanë kërkuar kompensim dhe falje.
Sipas një ligji të pas Luftës së Dytë Botërore të miratuar në vitin 1948, rreth 25 000 njerëz, shumë prej të cilëve kishin aftësi të kufizuara të trashëgueshme, iu nënshtruan operacioneve për t’i parandaluar ata që të kishin fëmijë.
Qeveria e Japonisë pranoi se 16 500 nga operacionet e sterilizimit u kryen pa pëlqim. Edhe pse autoritetet pretendojnë se 8500 persona të tjerë pranuan procedurat, avokatët kanë thënë se ata ishin të detyruar të operoheshin për shkak të presionit që u përballën në atë kohë.
Ligji fatmirësisht u shfuqizua në vitin 1996.
Sterilizimet e detyruara ishin më të përhapura në vitet 1960 dhe 1970, gjatë bumit të bebeve të pasluftës.
Shumë nga të sterilizuarit me forcë kishin paaftësi fizike dhe intelektuale, probleme të shëndetit mendor ose sëmundje kronike si lebra.
Sipas një ligji të miratuar në 2019, viktimat e mbijetuara mund të marrin 3.2 milionë jen (19,800 dollarë). Rreth 1300 persona kanë aplikuar për këtë kompensim dhe deri më tani janë shpërblyer 1100, thonë raportet.