Seanca për dosjen “Sterilizimi” po mbahet në Gjykatën e Posaçme, ndërsa ka nisur faza e mbrojtjes nga ana e të pandehurve, të cilëve u është pranuar gjykimi i shkurtuar. Gjatë seancës ish-drejtori ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë, Saimir Kadiu, ka kërkuar të shpallet i pafajshëm pasi është shprehur se nuk ka pasur asnjë lidhje me shpërdorimet e pretenduara nga SPAK.

Këtë deklaratë të tij Kadiu i kërkoi gjykatës, ta shoqërojë më një anekdotë: “Lexova një anekdotë para disa ditësh: merr flakë një pyll dhe të gjitha kafshët mblidhen, duke menduar se ndoshta zoti po i ndëshkon për mëkatet e tyre. Luani pranon se ka ngrënë shumë prej tyre, ujku dhe dhelpra po ashtu. Kur vjen radha e gomarit, ai thotë: ‘Pashë një lëndinë me bar të gjelbër dhe shkova ta haja’. Të gjitha kafshët shpallin se kjo ishte mëkat i rëndë dhe e dënojnë gomarin.”

Ndërkohë i pyetur nga trupa gjykuese se përse e solli këtë anekdotë, ish-drejtori u përgjigj shkurtimisht: “Kërkoj të mos jem unë gomari.”

Pretenca e SPAK për të pandehurit

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar ka dhënë më 25 qershor pretencën për dosjen e “Sterilizimit”. SPAK ka kërkuar nga 10 vite burg për ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, por në rast se shpallen fajtor do të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi u konvertohet në 6 vjet e 8 muaj burg. Prokuroria e Posaçme kërkoi 3 vjet e 6 muaj burg për 3 ish-zyrtarët, Marsela Serjanaj, Sajmir Kadiu dhe Petref Mersini. Të pandehurit Serjanaj dhe Kadiu nga gjykimi i shkurtuar dënimi i konvertohet 2 vjet e 4 muaj burg, ndërsa Mersinit 4 vjet shërbim prove. Për mjekun Arben Gjata, SPAK kërkoi që dënimi me 1 vit e 4 muaj burg t’i konvertohet në 3 vite shërbim prove. Po ashtu edhe për Genc Byrazeri dhe Naile Ajazi u kërkua 2 vjet shërbim prove.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendori të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar për të gjithë të pandehurit në çështjen “Sterilizimi”, me përjashtim të Ilir Beqajt, i cili nuk ka aplikuar për këtë formë gjykimi. Sipas këtij vendimi, Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapaj, Matilda Serjani, Samir Kadiu, Petraq Mersini, Arben Gjata, Genci Byrazeri dhe Naile Ajazi do të përfitojnë nga ulja e 1/3 së dënimit nëse shpallen fajtorë, në bazë të procedurës së përshpejtuar. Nga ana tjetër, Beqaj do të gjykohet në procedurë të zakonshme, ndërsa ai ka vijuar të kundërshtojë akuzat ndaj tij.

Sterilizimi

Ish-ministri, Ilir Beqaj është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit. Ndaj Beqajt rëndojnë akuzat “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim. Hetimi SPAK është kryer për koncesionin “shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, në kohën kur Beqaj drejtonte ministrinë e Bujqësisë.

Për “Sterilizimin” janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit.