DURRËS, 3 shtator 2014 – Fill pas mbarimit të stinës turistike, në zonën piktoreske të Bisht-pallës (ushtarakët e njohin me emrin Kepi i Palit) do të zhvillohet një stërvitje shqiptaro-britanike.
Deri më 16 shtator 2014 do të zhvillohet stërvitja “Albanian Lion” e ndarë në dy faza, përkatësisht “Albanian Lion 14” dhe “Dragon Hammer”, ku baza detare ushtarake e Kepit të Palit do të shërbejë si bazë furnizimi logjistik, bëjnë të ditur burime zyrtare nga komanda e Forcës Detare në Plepa.
Trupat tokësorë do të mbështeten nga deti me katër anije ushtarake.
Stërvitja fokusohet në kryerjen e operacioneve të evakuimit të civilëve “Non-Combatant Evacuation Operations” nëpërmjet operacioneve detare, tokësore dhe ajrore.
Komanda e Forcës Detare ka marrë masa të veçanta në Durrës, pasi, gjatë stërvitjes, do të shfrytëzohet baza e Kepit të Palit për furnizim logjistik, si dhe për mbështetjen e largimit të trupave e automjeteve.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





