Gjatë 12 muajve të fundit Roja Bregdetare shqiptare është ndeshur me dy incidente të rënda detare. Në muajin tetor të vitit të shkuar anija “Reina 1” u përplas në det të hapur 20 milje larg portit të Durrësit nga trageti Ankara dhe tetë marinarë humbën jetën. Tre muaj më pas anija 4 mijë tonëshe “Edirne” me flamur të Sierra Leones u fundos pak milje larg nga porti i karburanteve në Porto Romano, me tre marinarë në bordin e saj.
Ndonëse janë shmangur pasojat në mjedis, pasojat në njerëz kanë qënë të rënda për ekuipazhet e tyre. Këto dy raste fatkeqësish aksidentale kanë angazhuar strukturat shtetërore në përcaktimin e direktivave të qarta për Rojen Bregdetare dhe trajnimin e saj për të përballuar me sukses raste të ngjashme.
Ndotja mjedisore në habitatin ujor dhe rreziku që ajo sjell kërkon ndërhyrje të shpejtë nga ana e autoriteteve, veçanërisht Rojes Bregdetare për të evituar shmangien e pasojave afatgjata në florën dhe faunën nënujore si dhe përgjatë vijës bregdetare. Këtij qëllimi i ka shërbyer stërvitja katër ditore Adriatik 12 që u zhvillua në Durrës me pjesëmarrjen e katër anijeve të Rojes Bregdetare të Shqipërisë, Kroacisë, Italisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë.
Greqia dhe Bosnje-Hercegovina morën pjesë si vëzhguese në këtë aktivitet ushtarak me karakter civil. Stërvitja është mbyllur me një operacion të improvizuar, ku mjete ndërvepruese shqiptare dhe specialistë të forcave detare morën pjesë në operacionin e ndërhyrjes, zhvilluar 10 milje larg gjirit të Durrësit. Në stërvitje u simulua përfshirja e një anijeje nga flakët, ndërkohë që një sipërfaqe e konsiderueshme detare u izolua për shkak të ndotjes së krijuar në habitatin ujor.
Operacioni i ndërhyrjes nga ana e autoriteteve shtetërore parashikonte mbajtjen nën vëzhgim të mjetit si dhe neutralizimin e flakëve me anë të dy anijeve të specializuara, ndërsa disa mjete të tjera lundruese të antindotjes punonin për lokalizimin e sipërfaqes së ndotur dhe pastrimin e saj. Gjatë stërvitjes, forcat detare të shoqëruara nga një helikopter, i cili monitorion nga ajri, por edhe anije të tjera lundruese neutralizuan gradualisht të gjithë elementët që ndodheshin aty me veprime të një shkalle të lartë vështirësie, të mbështetur dhe nga specialistët e vendeve të rajonit, pjesëmarrës në këtë demonstrim praktik.
Operacioni u drejtua nga Kapiteni i Rangut III-të Sabri Gjinollari, shef i Degës Operacionale dhe Stërvitjes në Komandën e Forcës Detare. Në përfundim të stërvitjes detare Gjinollari tha se,- “qëllimi kryesor i saj është rritja e bashkëpunimit rajonal përsa i përket veprimtarisë së Rojes Bregdetare dhe parandalimit të ndotjes në detin Adriatik dhe Jon duke kontribuar në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, mjedisit dhe ekosistemeve nga pasojat që mund të shkaktojnë ndotjet në det qofshin në thellësi apo në afërsi të bregut”.
Stërvitje të tilla, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Mjedisit dhe ambasadës norvegjeze, iniciuese e projektit, janë shumë të rëndësishme sepse rrisin bashkëpunimin dhe aftësinë për t’u përgjigjur efektivisht sfidave që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit detar, menaxhimin dhe reagimin me eficensë ndaj ndotjeve të çdo lloji.