Dijet e marra në orët mësimore, disa vajza që studiojnë në degën e Konfeksioneve në shkollën "Hysen Çela" në Durrës, kanë vendosur t'i derdhin mbi copë.
Nxënëset e viteve të ndryshme të gjimnazit profesional kanë organizuar sot një sfilatë me veshje të punuara nga vetë ato.
Të mbështetura nga mësueset e lëndëve të degës, stilistet e ardhshme kanë prezantuar krijime të llojeve të ndryshme, si fustane të gjata e të shkurtra, jumpsuite apo pallto.
Të konceptuara si veshje kryesisht për mbrëmje, vajzat tregojnë se punimet për realizimin e tyre janë kryer vetëm në ambientet e kabinetit të Konfeksioneve.
Kanë qenë emra me ndikim në show-bizin shqiptar dhe të huaj që kanë frymëzuar vajzat, të cilat synojnë që në të ardhmen të shënojnë emrin e tyre në fushën e modës.
Por kjo nuk është hera e parë që nxënëset e shkollës së mesme, zhvillojnë aktivitete të tilla ku promovojnë mundësitë që të ofron gjimnazi profesional. Edhe në panairin "Me dyer të hapura", vajzat parakaluan në tapetin e kuq të oborrit të shkollës me veshje të larmishme.
Pjesë e sfilatës ishin edhe disa fustane të veçanta të cilat spikasnin në llojin e materialit si rrjetë peshkimi, tapa shishesh, gazeta etj..
G.D.
Për më shumë, shikoni fotot e mëposhtme:





