Policia e Turqisë dje ka ndaluar dhe ka arrestuar në Aeroportin e Stambollit stilistin e njohur kosovar Valdrin Sahiti. Sipas burimeve të KosovaNews, arrestimi i Sahitit ka ndodhur pasi ai është i dyshuar për veprën penale blerja, pranimi, posedimi i drogave dhe stimuluesve për përdorim bazuar në nenin 191 të kodit penal të Turqisë.
Policia Turke e ka njoftuar Policinë e Kosovës se Valdrin Sahiti është kapur me pasaportë diplomatike të lëshuar nga Republika ne Kosovë. Sahiti ka shfrytëzuar statusin e diplomatit për të kaluar në zonën VIP të aeroportit të Stambollit, mirëpo pas dyshimeve të policisë turke ai është kapur në flagrancë dhe gjatë kontrollit i është gjetur drogë. Mënjeherë pas kësaj Vadrin Sahiti është arrestuar në Aeroportin e Stambollit.
Kujtojmë se Valdrin Sahiti ishte pajisur me pasaportë diplomatike në vitin 2020 me rekomandim të ish-ministres së Jashtme të Kosovës Melisa Haradinaj. Pajisja e tij me pasaportë diplomatike ishte bërë nën arsyetimin për afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare si dizejnator mode.