Ulja e temperaturave ka rritur qarkullimin e gripit dhe shumë viruseve të tjerë respiratorë.
Mjekët po konstatojnë se pas pandemisë së Covid-19 disa viruse janë bërë më agresive në popullatë.
Kjo situatë e re e diktuar nga pandemia, ka rritur sëmundshmërinë, por edhe konsumin e antibiotikëve.
Mjeku Edi Tushe këmbëngul për shmangien e medikamenteve, pasi përdorimi i tyre, shpesh pa rekomandimin e specialistit, rrezikon krijimin e rezistencës mikrobike.
Ashtu si në Europë, edhe në vendin tonë është në qarkullim influenca e tipit A, ose siç njihet ndryshe, gripi australian, Covid-19, virusi respirator Sinsincial dhe shumë viruse të tjerë respiratorë.
Pediatri Edi Tushe këshillon prindërit të mos alarmohen nga temperatura e lartë dhe mos të nxitojnë për të dhënë medikamente.
Referuar të dhënave nga hemisfera e Jugut, influenca A apo gripi australian këtë vit kishte më shumë përhapje dhe agresivitet.
Në vendin tonë ky tip i gripit ka qarkulluar edhe vite më parë. Shtamet e këtij varianti ndodhen në vaksinën antigrip e cila po kryhet në qendrat shëndetësore për kategoritë e riskut.
Mjekët e rekomandojnë këtë vaksinë edhe për fëmijët deri 6 vjeç. Sipas doktor Edi Tushes, vaksina nuk të mbron nga prekja, por nga ndërlikimet e gripit dhe format e rënda.