21 nëntor 2015 – Stjuardesa 31-vjeçare nga Tirana, Elisa Tabaku, e cila u arrestua 3 ditë më parë nga policia e Durrësit, ka mohuar që merrej me trafik droge. Tabaku punonte si stjuardesë në ekuipazhin e tragetit të linjës Durrës-Ankona, punë që sipas saj i jepte një rrogë të kënaqshme prej 1700 eurosh në muaj, dhe për këtë s’i duhej të merrej me trafik droge.

“Unë kisha një punë shumë të mirë dhe isha e kënaqur me pagën që merrja. Nuk kisha nevojë të ndërmerrja një veprim të tillë, për të shpërndarë apo trafikuar drogë. Kam një njohje shoqërore me një prej të arrestuarve, Mirgen Hubën, por vetëm kaq. Nuk kam ndonjë njohje të ngushtë me asnjë prej personave të arrestuar. Njihemi vetëm si shokë”, ka deklaruar shkurtimisht Tabaku para grupit hetimor.

Por organi i akuzës dyshon se ajo shfrytëzonte pozicionin e punës si pjesë e ekuipazhit të tragetit (shefe e hotelerisë), për të lehtësuar trafikun e drogës drejt Italisë.

Goditja e rrjetit të trafikantëve të Durrësit u bë në sajë të operacionit të koduar “Miks”, i cili u finalizua me prangosjen e 5 personave: Besmir Basha, 30 vjeç, banues në Durrës; Denis Grabovari, 35 vjeç, banues në Durrës; Mirgen Huba 32 vjeç, banues në Tiranë; Lulzim Isai, 49 vjeç, banues në Shijak dhe Elisa Tabakut, 31 vjeç, banuese në Tiranë.

/portali DurresLajm/