Vihet me sukses në skenë komedia "Stjuardesat". Premiera e parë për këtë vit e teatrit "Aleksandër Moisiu" është pritur mjaft ngrohtë nga publiku, që kishte mbushur plot e përplot sallën ditën e premte. Batutat, ngatërresat, të papriturat e situatat plot humor e shoqëronin të gjithë komedinë e regjizores Driada Dervishi. Për më shumë se një orë e gjysmë publiku ka qeshur dhe ka duartrokitur lojën e aktorëve, të cilët me interpretimin e tyre përcollën emocion dhe humor tek artdashësit.
Komedia e autorit francez Marc Camelotti tregoi edhe në Durrës se vazhdon të jetë shumë e suksesshme, megjithëse është shkruar rreth 50 vjet më parë. Në përfundim të shfaqjes publiku duartrokiti për disa minuta me radhë lojën e gjashtë aktorëve, që përcollën tek artdashësit energji pozitive. E konceptuar si një miks mes aktrimit, kërcimit dhe këngës "Stjuardesat" realizoi një ndërthurje harmonike, që i dha më shumë gjallëri interpretimit aktorial.
Protagonist i komedisë është Bernardi (i interpretuar nga Xhejni Fama), një avokat i suksesshëm, i cili është shumë i dhënë pas femrave, aq sa mban në të njëjtën kohë tre prej tyre si të fejuara. E veçanta e kësaj lidhjeje poligame është fakti se të tria vajzat punojnë si stjuardesa dhe i fejuari i tyre "besnik" shfrytëzon pikërisht udhëtimet e tyre për të rregulluar në axhendën e tij takimet me secilën. Për të ruajtur fshehtësinë e këtyre lidhjeve, Bernardi ndihmohet nga shërbëtorja e tij besnike, Berta.
Në rolin e shërbëtores interpretonte aktorja e njohur durrsake, Sanie Hoti, e cila realizoi një interpretim mjaft të arrirë që shkaktoi mjaft të qeshura dhe duartrokitje tek publiku. Një personazh mjaft karizmatik i kësaj komedie është dhe miku i ngushtë i Bernardit, Roberti, i cili ndryshe nga miku i tij poligam kërkon të gjejë një vajzë me të cilën të martohet.
Së bashku me Bertën, Roberti mundohet të ndihmojë Bernardin, që vajzat të mos e takojnë njëra-tjetrën, por pikërisht në një nga këto ngatërresa të sikletshme ai njihet dhe nis të pëlqejë Juditën, stjuardesën gjermane. Në një rrëmujë të vërtetë që krijohet në shtëpi, për shkak të pranisë së të tre vajzave në të njëjtën kohë, Bernardi, Roberti dhe Berta tentojnë të fshehin të pamundurën. Gjithsesi, pavarësisht ndonjë dhimbjeje koke, ata ia dalin ta zgjidhin më së miri situatën e komplikuar.
I mësuar të jetonte me tre femra njëkohësisht, tashmë Bernardit i duhet të "mbijetojë" vetëm me njërën prej tyre, ndërkohë që Roberti ndihet i kënaqur me zgjedhjen e tij. Po ashtu dhe Berta që përfiton rritje rroge, si dhe stjuardesat që arrijnë të krijojnë lidhje të qëndrueshme me personin që kanë zgjedhur. Në një farë mënyre një zgjidhje Deus ex machina i kënaqi të gjithë.
Thënia e Robertit në fund drejtuar Bernardit, kur për ta ngushëlluar i pëshpërit në vesh "ti mbete me atë që të do më shumë", është një fshikullimë jo e ëmbël për Don Zhuanin e pjesës. I mësuar të argëtohet me tri femra në të njëjtën kohë atij s'i mbetet gjë tjetër veçse të ulë kokën dhe të nisë të pranojë jetën familjare.