Krytari i Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara ka akuzuar Këshillin Bashkiak Durrës se ka shkelur rregulloren për miratimin e pikave të rendit të ditës.

Në një postim në rrjetet sociale, Cara ka rënditur shkeljet që sipas tij bëhen nga këshilli bashkiak dhe që rezultojnë në dëm të qytetit.

Postimi i plotë:

18 vendime të dala nga mbledhja e fundit e këshillit bashkiak, nga 13 të lejuara nga rregullorja!

Stoikë në shkeljen e ligjit!

Mbledhje, që zhvillohen në mesditë, pavarësisht se shumica e anëtarëve janë pjesë e administratës, duke mosrespektuar orarin zyrtar.

Projektvendime të miratuara nga një këshill, që në unison jep dakordësinë për çdo material që i paraqitet, me një shpejtësi rrufe, aq sa të krijohet përshtypja që as nuk i kanë lexuar.

Sigurisht pa debate apo diskutime, që në çdo rast do të ishin humbje kohe, pasi në çdo rrethanë, do të miratohen.

Prandaj numri i projektevendimeve, megjithëse është shkelje e hapur e ligjit mbetet problemi më i vogël. Përmbajtja e tyre është problemi më i madh.

Vendime të marra në terr pa konsultime, të cilat rezultojnë jo rrallë në dëm të qytetit, që në vend të rritet, tkurret në të gjitha kuptimet e fjalës!