“Fushata ajrore e vitit 1999 – nuk ishte kundër popullit serb”, sekretari i përgjithshëm i NATO-s përcolli këtë mesazh në paraqitjen e përbashkët me Aleksandër Vuçiç, në hapje të stërvitjeve të emergjencave civile në qytetin e Mlladenovcit, rreth 50 kilometra larg Beogradit.
Aleanca, u shpreh numri një i saj, e mbështet plotësisht procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe bisedimet ndërmjet tyre janë rruga më e mirë për një zgjidhje, që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Por ndërkohë ai preku dhe çështjen nevralgjike të bombardimeve, që i bën akoma dhe sot shumë serbë ngurrues në raport me aleancën më të madhe ushtarake të globit.
“Kujtimet e fushatës ajrore të vitit 1999 janë ende të dhimbshme për shumëkënd, sidomos për ata që kanë humbur njerëz të dashur. Por fushata nuk ishte kundër popullit serb, ishte për të mbrojtur civilët me gjerë në rajon. Çdo jetë e pafajshme e humbur ishte një tragjedi për të cilën me të vërtetë më vjen keq. Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë të kaluarën, ama mund të lëvizim përtej saj”, u shpreh Stoltenberg.
Stërvitjet me emrin “Serbia 2018”, organizohen bashkërisht nga NATO-ja, Qendra Evropiane për Bashkërendimin e veprimtarive në raste emergjencash dhe ministria e Brendshme e Serbisë. Stoltenberg nuk i cilëson ato si “ushtarake”. Në manovra numërohen 2 mije pjesëmarrës nga 38 vende dhe sipas sekretarit të NATO-s, ato përmbajnë stërvitjet më të mëdha të këtij lloji dhe është hera e parë që mbahen në Serbi.