Krerët e shtetit të Kosovës kanë mbajtur një takim me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg.

Situata politike dhe e sigurisë në vend dhe rajon, progresi i arritur në Kosovë, me theks të veçantë procesi i tranzicionit i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, si një forcë multietnike, profesionale dhe sipas standardeve të NATO-s, ishin disa nga temat e këtij takimi, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Roli i NATO-së në Kosovë ishte jetik për popullin tonë në kohë lufte, kontributi i së cilës vazhdon edhe në ditët e sotme. Objektivi ynë kryesor strategjik mbetet aplikimi i plotë i standardeve të Bashkimit Evropian në rrugën tonë drejt procesit të integrimit në BE dhe përpjekjet për t’u bërë pjesë e Aleancës më të madhe të paqes e sigurisë në botë, NATO-s”, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me Stoltenbergun në Nju Jork.

Më tutje thuhet se Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Stoltenbergut dhe institucionit që ai drejton për procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri, proces ky që do të kontribuonte në sigurinë më të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Haradinaj ka falënderuar Sekretarin Stoltenberg për bashkëpunimin e NATO-s dhe mbështetjen e vazhdueshme që po jep KFOR-i në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Institucionet dhe populli i Kosovës e vlerësojnë lartë rolin e NATO-s”, tha Haradinaj, duke vlerësuar se prezenca e NATO-s përmes KFOR-it në Kosovë është kontribut për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO do të ofrojë përkrahje për Kosovën edhe në të ardhmen.

Takimi me Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare të kryeministrit Haradinaj në Nju Jork.

Në këtë takim morën pjesë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.