Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka konfirmuar se në Samitin e Madh të ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare që mbahet të martën dhe të mërkurën,  një nga temat e diskutimit do jetë situata e sigurisë në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Në një konferencë për media nga Brukseli, ai tha se “kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës, retorikë ndarëse e shkëputëse në Bosnjë Hercegovinë, dhe tentime malinje të ndërhyrjeve përfshirë ato nga Rusia”.

Ndërkohë, ai foli për një prani më të madhe të trupave të NATO-s në Kosovë.

“Bashkë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Josep Borrell ne do të diskutojmë mënyrat që të rrisim stabilitetin në rajon. NATO-ja tashmë ka shtuar 1000 trupa në Kosovë. Dhe ne jemi duke ekzaminuar një prani më të qëndrueshme në Kosovë”.

Ai i bëri thirrje Kosovës e Serbisë, që menjëherë t’i kthehen dialogut që udhëhiqet nga BE-ja.

“Beogradi dhe Prishtina, duhet të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Stabilitetit varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë, në vend të konfliktit dhe kaosit”, tha Stoltenberg.