Policia e Durrësit finalizoi operacionin “Storm 9”, pas tre javësh hetime me metoda proaktive, duke goditur një rast të trafikimit të femrave për shfrytëzim prostitucioni.
Dy shtetase kolumbiane, 24-vjeçare, u arrestuan në flagrancë në një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 18, ku ushtronin prostitucion dhe shisnin lëndë narkotike.
Në kërkim është shpallur organizatori i rrjetit, një 28-vjeçar kolumbian, ndërsa pronari i apartamentit dhe tre persona të tjerë po procedohen penalisht.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi një sasi kanabisi, para të përfituara nga prostitucioni, pesë celularë dhe pasaportat e vajzave të arrestuara.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet pas 3 javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Storm 9”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të femrave, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim shtetasi kolumbian, organizatori i kësaj veprimtarie kriminale.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetase kolumbiane që kishin marrë me qira një apartament, në lagjen nr. 18, Durrës, për ushtrimin e prostitucionit dhe për shitjen e lëndëve narkotike.
Procedohen penalisht pronari i apartamentit, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moskallëzimi i krimit”, dhe 3 shtetas, për veprën penale “Prostitucioni”.
Sekuestrohen një sasi kanabisi, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 5 celularë dhe pasaportat e 2 shtetaseve të arrestuara.
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, përgjatë 3 javëve, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të femrave, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, finalizoi operacionin policor të koduar “Storm 9”. Në kudër të këtij operacioni:
- u shpall në kërkim shtetasi D. G., 28 vjeç, banues në Kolumbi, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
-u arrestuan në flagrancë shtetaset M. A., 24 vjeçe, Y. C., 24 vjeçe, të dyja banuese në Kolumbi, për veprat penale “Prostitucioni”, “Përshtatja e ambienteve për prostitucion” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;
-nisi procedimi penal për pronarin e apartamentit, shtetasin V. R., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
-nisi procedimi penal për shtetasit M. S., E. B. dhe A. H., për veprën penale “Prostitucioni”.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi kolumbian ka trafikuar shtetase kolumbiane në Shqipëri, me qëllim shfryrtëzimin e tyre për prostitucion. 2 shtetase kolumbiane (të arrestuarat) kishin përshtatur një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 18, Durrës, për të ushtruar prostitucion. Gjatë kontrollit në këtë ambient u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: sasia e lëndës narkotike, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 5 celularë dhe pasaportat e 2 shtetaseve të arrestuara.
Vijon puna për kapjen e shtetasit D. G. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.





