Finalizohet faza e 12-të e operacionit policor të koduar “STORM” për goditjen e prostitucionit në Durrës. Policia arrestoi dy shtetase kolumbiane, të cilat kishin marrë me qira një apartament në zonën e Vollgës dhe e shfrytëzonin për prostitucion.

Gjatë operacionit u proceduan penalisht edhe 6 shtetas shqiptarë. Si prova materiale u sekuestruan pasaporta, shuma parash në euro dhe lekë, si dhe formularë transfertash monetare me vlerë mbi 15 mijë euro.

Njoftimi i plotë:

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të prostitucionit

Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “STORM”

Gjatë fazës së 12-të, vihen në pranga dy shtetase kolumbiane, të cilat u kapën në zonën e Vollgës, Durrës.

Dy shtetaset kolumbiane kishin marrë një apartament me qira në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1, Durrës, dhe e shfrytëzonin për prostitucion.

Procedohen penalisht edhe 6 shtetas shqiptarë për prostitucion.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara nga strukturat e DVP Durrës, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, së bashku me Forcën e Posaçme Operacionale, u finalizua faza e 12-të e operacionit policor të koduar “Storm”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit për një periudhë disa javore, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.

Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen nr. 1, rruga “Taulantia”, zona e Vollgës, Durrës, u arrestuan në flagrancë shtetaset J. C., 23 vjeçe, dhe M. A., 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Kolumbi.

Gjithashtu, gjatë operacionit u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe 6 shtetas shqiptarë nga Durrësi, Shijaku dhe Kavaja, për veprën penale “Prostitucioni”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash në euro dhe lekë, si dhe 10 formularë dërgesash monetare me vlerë totale 15 093 euro, të transferuara familjarëve në Kolumbi brenda një periudhe 20-ditore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.