Portieri i Lacios dhe kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha, tregon se as ai vetë nuk u gëzua aq shumë sa babai i tij, Foto, pas penalltisë së pritur ndaj Dibalës. Në një intervistë Strakosha tha se ishte hera e parë që dëgjoi këshillat e të atit.
-Keni gëzuar shumë pas pritjes së penalltisë së Dibalës, kaq i veçantë ishte ky moment?
Nuk mund t’i shpjegoj emocionet që kisha pas asaj ndeshjeje. Të presësh penallti në sekondat e fundit është diçka fantastike, aq më tepër që morëm edhe fitoren me përmbysje.
-Kush të uroi i pari pas ndeshjes?
Urimet e para i mora direkt nga familja. Aq sa ka bërtitur babai, nuk kam gëzuar as vetë.
-Është e vërtetë që Foto të ka këshilluar për pritjen e penalltisë?
Babi më ka këshilluar gjithmonë por nuk e kam dëgjuar. Një herë që e dëgjova, më shkoi mirë, sepse i prita penalltinë Dibalës dhe i dhashë fitoren ekipit.
-Sa larg mund të shkojë Lacio këtë vit?
Kemi një grup shumë të mirë dhe besoj se mund të bëjmë gjëra të mëdha. Edhe në aspektin personal, pres që të rritem akoma më shumë.
-Një ish portier i Juventusit, i ka këshilluar bardhezinjve emrin tuaj si pasardhës i Bufon. Do të të pëlqente një transferim te bardhezinjtë?
Nuk di gjë për interesimin e Juventusit, por jam shumë i lumtur te Lacio. Kam besimin e trajnerit, të drejtorit dhe gjithë klubit dhe dua të qëndroj gjatë këtu.