Thomas Strakosha ishte i pranishëm së bashku me Feta Fetain në konferencën për shtyp për të folur për sfidat me Çekinë dhe Ukrainën. Gardiani i postës theksoi se ekipi do të bëjë maksimumin në këto 2 takime dhe se vendi i parë është në dorën e tyre.Gjithashtu u bën “thirrje” lojtarëve të jenë të gjithë më të përqendruar dhe të sulmojnë e mbrojnë si ekip.
“Kemi pësuar një gol në minutat e para dhe mendoj se më mirë do të bëjmë se më keq se kaq nuk kemi ku shkojmë. Jemi të gjithë të përgatitur mirë për të dhënë maksimumin dhe për t’ia dalë. Çekinë e njohim, çfarë duhet të bëjmë ndryshme ? Nuk duhet të bëjmë shumë, thjeshtë duhet të jemi të përqendruar. Kemi dy finale në shtëpinë tonë para tifozëve. Do të luftojmë për çdo top dhe jam i bindur se do t’ia dalim.
Stadiumi “Sold – Out”, është presion apo motivim?
Për çdo futbollist është motivim. Kemi luajtur me stadium bosh ku ishte Covid dhe tashmë është diçka e bukur për çdo futbollist.
Do të merrni masa ndaj shtatlartësisë së Çekisë?
Ne luajmë si ekip dhe mbrojmë si ekip. Futbolli është kolektiv dhe duhet të japim maksimumin. Të gjithë duhet të jemi të përqendruar mirë.
4 portierë në kombëtare, është rritur konkurenca?
Duhet të pyesim trajnerin. Unë jap gjithmonë maksimumin dhe avash avash po rritet konkurenca. Kjo bën më mirë.
Alen Sherri debutoi në Serie A. E ndoqët Sherrin?
Komplimenta dhe urime. Nuk e pash ndeshjen se kisha edhe unë ndeshje. Shpresoj që deri në fund të jetë titull i Cagliarit. Ka nivel shumë të lartë se po luan në Serie A.
A ju mungon Berisha në këto grumbullime?
Janë lojtarë që kanë disa vite në Kombëtare. Na mungojnë edhe për të mbështetur lojtarët e rinj”, ka përfunduar Strakosha. Kujtojmë se Kombëtarja do të luajë ndaj Çekisë dhe Ukrainës përkatësisht më 16 dhe 19 nëntor në “Air Albania” në orën 20:45.