“Street art” apo “Arti i rrugës” zbret në Golem, ku për rreth 2 ditë me radhë, 30 artistë nga vende të ndryshme të Evropës kanë vënë në praktikë talentin e tyre.

Nënkalimi i ish-komunës, që tashmë është njësi administrative e bashkisë Kavajë është “veshur” me ngjyra të ndezura, në këto ditë të nxehta fund gushti.

Grija e betonit është zëvendësuar nga grafitet, që grupi i artistëve të huaj zgjodhi t’ia bënte dhuratë kësaj zone.

Kryebashkiaku i Kavajës, Redjan Krali, në një bisedë telefonike me “DurrësLajm” bëri të ditur se ka qenë propozimi i vetë artistëve për të punuar në mënyrë vullnetare e për ta sjellë artin e tyre në këtë zonë turistike.

Në grafitet e ndryshme, nuk kishte si të mungonte edhe flamuri shqiptar, i cili shihet qartë në një prej tyre.

Kujtdo që kalon në këtë nënkalim nuk i shpëton nga vëmendja puna artistike e bërë me këto murale, ndërkohë që këto ditë, shumë banorë të zonës, por edhe pushues ndalen t’i shikojnë ato nga afër, madje nuk mungojnë edhe ata që zgjedhin të shkrepin foto me sfond muralet e punuara në mënyrë profesionale.