DURRËS, 17 gusht 2014 –  Sipas një Vendimi të Qeverisë, kanë përparësi për t’u trajtuar si përfitues të programeve sociale të strehimit këto kategori personash me aftësi të kufizuara:

– të gjithë personat me mungesë të plotë ose të pjesshme shikimi, të lindur ose të fituar, të cilët, sipas kritereve mjekësorë, janë të paaftë për punë në kushte normale;

– paraplegjikët dhe tetraplegjikët, të cilët deklarohen me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha;

– personat me aftësi të kufizuar, të cilët deklarohen të paaftë për punë, me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë;

– personat të cilët janë deklaruar invalidë pune, me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, që përfitojnë pension invaliditeti dhe shtesë mujorë mbi të, sipas statusit të invalidit të punës.

Këtyre kategorive u jepet prioritet duke i pikëzuar në formatin tip të sistemit të pikëzimit, i cili miratohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendorë për çdo program strehimi dhe që shërben për klasifikimin e kërkesave për strehim nga organet e qeverisjes vendorë.

GRANTET

Njësitë e qeverisjes vendore, brenda datës 30 janar të çdo viti, paraqesin kërkesat për grante të menjëhershme për banesat me kosto të ulët, pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit, të shoqëruar me kostot financiare për çdo familje.

Ministria, brenda muajit mars, planifikon në buxhetin e shtetit fondet për vitin pasardhës për grantet e menjëhershme, bazuar në kërkesat vjetorë të bashkive, sa herë që zbatohen programe të banesave me kosto të ulët.

Njësitë e qeverisjes vendore, gjatë hartimit të listave të përfituesve, u japin përparësi kategorive të përcaktuara, duke pikëzuar këto kategori në formatin tip të sistemit të pikëzimit, i cili miratohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore, për programin e banesave me kosto të ulët, dhe që shërben për klasifikimin e kërkesave për strehim nga organet e qeverisjes vendorë.

Kriteret dhe përparësitë për përfitimin e grantit të menjëhershëm

Familjet që kanë në përbërje persona me aftësi të kufizuara:

– persona me mungesë të plotë ose të pjesshme shikimi, të lindur ose të fituar, të cilët, sipas kritereve mjekësorë, janë të paaftë për punë në kushte normale dhe që kanë nevojë për kujdestarë;

– paraplegjikë dhe tetraplegjikë të cilët, me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, deklarohen se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha e që kanë nevojë për kujdestarë;

– persona me çrregullime të shëndetit mendor, që kanë nevojë për përkujdesje;

– individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërorë e deri në moshën 30 vjeç.    

Në ç’masë?

Familjet që plotësojnë kushtet e përcaktuara, përfitojnë grantin e menjëhershëm, përkatësisht, në masën:

– 5 për qind të vlerës së banesës me kosto të ulët, familjet e përmendura në shkronjën “a”, të pikës 5, me të ardhura maksimale mujorë nga 100-120 për qind të të ardhurave mesatare të përcaktuara për prefekturën;

– 10 për qind të vlerës së banesës me kosto të ulët, familjet e përmendura në shkronjën “a”, të pikës 5, me të ardhura maksimale mujorë nga 0 – 99 për qind të të ardhurave mesatare të përcaktuara për prefekturën;

– 10 për qind të vlerës së banesës me kosto të ulët, individët me statusin

Në të ardhurat maksimale mujorë të familjes nuk përfshihen të ardhurat e  përfituara nga ndihma ekonomike.

Familjet që plotësojnë kriteret, paraqesin pranë njësive të qeverisjes vendore kërkesën për përfitimin e grantit të menjëhershëm, në çastin e paraqitjes së dokumentacionit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/