Ministri i Brendshëm Taulant Balla ishte këtë të premte në Dibër, për analizën e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Kukës dhe Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit. Balla theksoi se në analizë u prekën të gjitha rastet e ngjarjeve pa autor dhe masat që janë marrë për zbulueshmërinë e tyre.

Balla po ashtu komentoi edhe arrestimin në Dubai të Julian Meçajt, ish-anëtari i bandës së Durrësit i cili ishte në arrati prej më shumë se një viti. Duke e cilësuar këtë një sinjal të mirë pas vizitës së tij në Arabinë Saudite, ministri u shpreh se Shqipëria është në pritje të një marrëveshje ekstradimi me Dubain, vend ku strehohen shumë nga të kërkuarit nga drejtësia jonë.

“Policia e Shtetit është e angazhuar që të zbulojë ngjarjet kriminale jo vetëm në çdo cep të territorit, por edhe në skajet më të largëta të globit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare. Rasti i fundit ku u arrestua në Dubai një person i shumë kërkuar, është një sinjal i mirë pas vizitës në Arabinë Saudite. Jemi në pritje të një marrëveshje të shumë pritur ekstradimi edhe me Dubain, ku strehohen shumë nga të kërkuarit e drejtësisë shqiptare”, tha Balla.