Teksa Krishtlindjet afrohen, vitrinat ndriçohen, rrjetet sociale mbushen me imazhe festash “perfekte” dhe… detyrimet shtohen ndjeshëm. Për shumë njerëz, kjo është periudha më e bukur e vitit. Për të tjerë, megjithatë, është një kohë e mbushur me tension, lodhje dhe presion emocional.

Pas shkëlqimit të festave dhe dritave, shpesh fshihet një ankth që rritet dhe ndikon drejtpërdrejt si në humor, ashtu edhe në shëndetin mendor.

Të dhënat tregojnë se Krishtlindjet nuk përjetohen njësoj nga të gjithë. Një përqindje e konsiderueshme e qytetarëve britanikë deklaron se periudha festive shoqërohet me stres, me gratë dhe veçanërisht nënat, që mbajnë një barrë disproporcionale në menaxhimin e përditshmërisë, organizimin e detyrimeve familjare dhe kujdesin për fëmijët.

Sipas specialistëve, stresi i Krishtlindjeve nuk buron vetëm nga lodhja fizike, por edhe nga pritshmëritë shoqërore, planifikimi financiar, ekuilibrat familjarë dhe ngarkesa emocionale që shoqëron festat.

Megjithatë, një pjesë e madhe e këtij ankthi mund të reduktohet me disa ndryshime të thjeshta, por thelbësore, në përditshmëri.

1. Fuqia e rutinës mes kaosit të festave

Ruajtja e një rutine ditore konsiderohet nga ekspertët si një kundërpeshë e rëndësishme ndaj stresit festiv. Gjumi, ushqyerja dhe aktiviteti fizik janë faktorë mbrojtës për shëndetin mendor dhe fizik.

Veçanërisht, çrregullimi i gjumit ndikon drejtpërdrejt në humor, durim dhe menaxhimin e emocioneve, duke krijuar një rreth vicioz lodhjeje dhe tensioni. Po ashtu, ushqyerja e dobët dhe mungesa e lëvizjes shtojnë rraskapitjen fizike, e cila dëmton ndjeshëm gjendjen psikologjike.

2. Kufijtë: fjala kyçe për festa më të qeta

Krishtlindjet sjellin më shumë kontakte shoqërore, shpesh edhe me persona që krijojnë tension. Psikoterapistja Dr. Sarah Turner thekson se aftësia për të vendosur kufij është thelbësore, jo vetëm gjatë festave.

Këta kufij nuk lidhen vetëm me kohën, por edhe me emocionet, financat dhe angazhimet shoqërore. Të thuash “jo” pa ndjenja faji ose të përcaktosh që në fillim sa kohë do të qëndrosh në një takim, mund të parandalojë konfliktet dhe lodhjen emocionale.

3. Pritshmëri realiste, më pak presion

Ekspertët sugjerojnë zëvendësimin e ndjekjes së perfeksionit me realizëm dhe lidhje të vërtetë njerëzore. Festat nuk kanë nevojë për teprime për të qenë të vlefshme. Edhe fëmijët, sipas psikologëve, përfitojnë më shumë nga prania dhe disponueshmëria emocionale e prindërve sesa nga numri i dhuratave. Menaxhimi i pritshmërive, si të fëmijëve ashtu edhe të të rriturve është vendimtar për një periudhë festive më të qetë.

Këshillë: Dëgjoni veten

T’i jepni hapësirë emocioneve tuaja është një akt thelbësor i vetëkujdesit. Lodhja emocionale mund të shfaqet në shumë forma: nga nervozizmi deri te izolimi. Nëse ankthi, trishtimi ose rraskapitja vazhdojnë, kërkimi i ndihmës nga një specialist nuk është shenjë dobësie, por force dhe kujdesi për veten.

Në një kohë kur gjithçka lëviz me ritme të shpejta, ndoshta dhurata më e madhe e Krishtlindjeve është thjeshtësia, disa momente qetësie, biseda të sinqerta dhe ndjesia se nuk kemi nevojë të jemi perfektë për të qenë të mjaftueshëm.

Sepse, në fund të fundit, Krishtlindjet nuk janë një garë qëndrueshmërie, por një mundësi për t’u rilidhur me veten dhe me njerëzit që kemi pranë.