DURRËS, 27 tetor 2014– Stresi po shndërrohet në një ankth kontinuitiv, po bëhet burim sëmundjesh dhe pamundësie për të jetuar normalisht.
Stresi konsiderohet si shkak kryesor i shumë çrregullimeve, jo vetëm mendore, por dhe i gjendjes shpirtërore. Padyshim ekziston një korrelacion i fuqishëm midis tij dhe sëmundjeve të ndryshme. Stresi shkakton frikën, tensionin, reagimet emocionale të gabuara që mposhtin arsyen e shëndoshë, agresivitetin, nervozizmin etj. Gjithashtu është një formë shqetësimi multifaktorëshe që ka si origjinë: tensionet e jetës së përditshme, zilinë, xhelozinë, menaxhimin e obligimeve familjare, shpërfilljen, hakmarrjen, keqtrajtimin në vendin e punës, vetminë, ngarkesën emocionale etj.
Në luftën e përditshme për ekzistencë konstatojmë se ekzistojnë disa lloje stresi: emocional, mendor, psikosocial, psikologjik. Mbi njerëzit po ushtrohet në vazhdimësi trysnia e të përshtaturit. Gjatë historisë së njerëzimit kanë ndryshuar rrethanat shoqërore, por zhvillimi i reagimeve stresore mbetet i njëjtë ndër shekuj e mijëvjeçarë, pavarësisht se njeriu bashkëkohor dhe i civilizuar di të vetëpërmbahet dhe të ruajë rregullat e shoqërisë, në dallim nga shpellari i dikurshëm. (Ndonëse ka përjashtime)
Tashmë, stresi është ndërfutur aq ndjeshëm në jetët tona dhe e ka ndikuar aq shumë atë, saqë e përditshmja apo monotonia e ditëve po i ngjan gjithnjë e më tepër një lufte thellësisht dramatike, një sfide ekzistenciale.
Siç shprehej Frederick Sanders, (1879 – 1947), laureat i urdhrit më të lartë ushtarak britanik: “Qelizat e trurit krijojnë ide. Stresi vret qelizat e trurit. Stresi nuk është ide e mirë”.
/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





