Punimet në vijën bregdetare të qytetit të Vlorës, njohur ndryshe si projekti i “Lungomare”-s, po vijojnë me ritme të larta dhe pritet që sezoni i verës që po afron, ta gjejë Vlorën me fytyrën e vërtetë turistike aq shumë të mirëpritur.
Një nga pjesët më “pikante” të projektit është edhe një platformë e veçantë e ndërtuar brenda detit, por jo shumë larg bregut.
Kjo strukturë është ideuar nga arkitektët të shfaqet mbi sipërfaqen e detit kur të ketë zbaticë dhe të zhduket kur të ketë baticë, ç’ka pritet t’i shtojë edhe më shumë vlerat turistike vijës bregdetare të qytetit të Vlorës.
Lungomare është projekt që shtrihet në një gjatësi prej 5 km, projektuar nga arkitekti Xavier de Geyter.
Deri më tani kanë përfunduar punimet nëntokësore si edhe zgjerimi në zonën e rërës. Projekti parashikon ndërtimin e një parku, hapësirë sportive e korsi bicikletash. Investimi financohet nga BE dhe qeveria shqptare dhe arrin në vlerën e 12 mln euro. /BW/