Studentët e universitetit të Durrësit, të mbështetur edhe nga pedagogët e tyre, kanë protestuar për ndotjen e madhe të shkaktuar nga djegia e qindra tonë mbetjeve urbane në Durrës.

Ata i kanë lënë 7 ditë afat qeverisjes vendore të japë zgjidhje këtij problemi që sipas tyre, iu rrezikon jetën, duke paralajmëruar jo vetëm protesta, por edhe një betejë ligjore. Me moton për jetën apo për arsimimin, studentët kanë vendosur të mbrojnë jetën e tyre.

Studentja e masterit Suada Dida deklaroi se beteja ligjore do të nisë nga klinika e Fakultetit Juridik. Rreth 1 kilometër nga universiteti “Aleksandër Moisiu”, vazhdon prej vitesh djegia e mbetjeve e cila është kthyer në problemin numër një si për rreth 20 mijë studentë, ashtu edhe për stafin akademik.

Djegia e plehrave në Porto-Romano është hapur në shkelje me ligjin, por sikur të mos mjaftonte kjo, jetë njerëzish rrezikohen çdo ditë në këtë zonë. Jeta e studentëve që shumicën e kohës e kalojnë pranë universitetit është seriozisht e rrezikuar nga mbetjet kancerogjene që digjen pa asnjë lloj kriteri, dhe jashtë çdo standardi.

K.H.