10 nëntor 2015 – Një grup studentësh të universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, protestuan sot në ambientet e universitetit me pankarta në duar, duke u sensibilizuar me protestat e studentëve të Tiranës.
“Xhepa bosh, ëndrra vjedhur e studentit”, “Jo rritje me nga 120 euro të tarifave”, “Stop taksuat ëndrrat tona”, ishin disa prej pankartave që një grup studentësh mbajtën në duar.
Isa Myzyri nga Lëvizja për Universitetin bëri të ditura kërkesat e studentëve:
“Dënojmë dhunën e ushtruar nga policia e shtetit. Kërkojmë tërheqjen e qeverisë nga reforma e për arsimin e lartë, e cila rrjep studentët me tarifat e kripura. Drejtuesit e universitetit të Durrësit të dalin publikisht me qëndrim të qartë mbi reformën e Universitetit.”
Edhe studiuesi Ylli Përmeti ishte në krah të studentëve. Përmeti u bëri thirrje pedagogëve që të mbështesin studentët protestues.
“Nga 550 pedagogë në Durrës, vetëm 3 prej tyre kanë shprehur kundërshtime në anën teknike dhe jo në tërësinë e filozofinë e saj. Pedagogët duhet të bashkohen e të udhëheqin studentët në nismat e tyre. Pedagogët duhet të jenë në ballë të studentëve, duhet të jenë mbështetja e tyre. Reforma cenon politikat afatgjata të studentëve dhe të pedagogëve. Pedagogët duhet t’i sqarojnë për efektin që ka kjo reformë në jetën sociale ekonomike të çdo studenti.”
/K.H. portali DurresLajm/





