Studentët e UAMD-së paralajmërojnë protestë ditën e hënë, më 28 janar. Ndryshe nga herët e tjera, kur protesta është zhvilluar jashtë apo brenda ambienteve të Kampusit Universitar, madje edhe ngujim për disa ditë, këtë herë parashikohet edhe një marshim drejt portit të Durrësit.

Sipas njoftimit në Facebook, protesta do të nisë në orën 8.30 tek Kampusi dhe më pas do të vijohet me marshimin drejt portit në shenjë simbolike, për të treguar se asnjë prej tyre nuk do të largohet nga vendi, por se duan një Shqipëri më të mirë, një jetesë cilësore, një arsimim cilësor.

Ata kanë një apel edhe për pedagogët e tyre.

“Ne ftojmë pedagogët të bojkotojnë mësimin ditën e hënë: Asgjë nuk është më e rëndësishme sesa kauza jonë e përbashkët tanimë e pranuar nga të gjithë, si e drejtë. Një orë leksioni, nuk është me e rëndësishme sesa mijëra orë në ditët dhe vitet në vijim. E ne pikërisht për këtë po luftojmë, që nesër auditoret tona të jenë më të mirë, e më cilësor”,- shkruhet ndër të tjera në njoftimin e studentëve.

Njoftimi i plotë:

Ditën e hënë datë 28 Janar 2019, Studentët e Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës, do të protestojnë për të disatën herë për një sistem Arsimor Cilësor.
Kërkesat tona tanimë janë të qarta si drita e diellit për të gjithë ata që duan dhe kanë vullnetin për t’i lexuar drejtë ato.
Protesta do të nisë në orën 08:30 para Kampusit 1 dhe 2 në Spitallë e më pas studentët do të marshojnë në formë simbolike drejt Portit të Durrësit.
Pse drejt portit?
Asnjë nga ne nuk dëshiron që të ikë më nga Shqipëria, kjo luftë po bëhet që Shqipëria të bëhet më e mirë, më e jetueshme dhe arsimi të nxirret nga humnera ku është hedhur nga ata që çdo gjë, edhe dijen e kanë bërë mall të kushtueshëm.
Të gjithë së bashku, duam të kontribuojmë në ndërtimin e një arsimi cilësorë, si shtylla kryesore e një kombi, që e mban atë gjallë .
Marshimi drejt portit të Durrësit, do të thotë që ne nuk duam të ikim, por edhe në pafundësi nuk mund të rrimë në këtë vend.
Ne nuk duam të ikim, por kur laku të vihet në fyt, zgjidhja e vetmë është të bëhesh palë me të keqen për të bërë një të keqe më të madhe, e ne nuk e bëjmë dot këtë.
Ne nuk duam të ikim, por marshimi drejt Portit tregon se pushtatarët po përzene rininë e këtij vendi, me arrogancën e tyre të pashembullt: Ata po përdhosni dijen, dhe po i detyrojnë mijëra të rinj të mallkojnë Shqipërinë, të mallkojnë ditën që lindën në këtë tokë.
Ne jemi e tashmja, ne jemi e ardhmja, e si të tillë do ta bëjmë betejën tonë me çdo mjet të ligjshëm që vendi ku ne lindëm të jetë toka jonë e dashur.
Ne ftojmë të gjithë trupën akademike të Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës, që ditën e hënë të rreshtohen krah së drejtës, krah studentëve ashtu siç kanë bërë deri më sot.
Ne kërkojmë nga pedagogët tanë të lënë auditoret të hënën, dhe jo me deklarata por fizikisht të jenë prezent krah studnetëvë përpara UAMD.
Në u bëjmë thirrje pedagogëve tanë që kanë qenë me neve deri më sot, të bëhemi të hënën bashkë për t’i treguar qeverisë së tanishme, e atyre që do të vijnë, se ne luftojmë vetëm për një gjë: Arsim cilësor.
Ne ftojmë pedagogët të bojkotojnë mësimin ditën e hënë: Asgjë nuk është më e rëndësishme sesa kauza jonë e përbashkët tanimë e pranuar nga të gjithë, si e drejtë. Një orë leksioni, nuk është me e rëndësishme sesa mijëra orë në ditët dhe vitet në vijim. E ne pikërisht për këtë po luftojmë, që nesër auditoret tona të jenë më të mirë, e më cilësor.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë prindërve, që ditën e hënë bashkë me bijt dhe bijat e tyre studentë ose nxënës, që të rreshtohen krah nesh, me një thirrje të vetme: “Ta bëjmë arsimin si gjithë Evropa”.
Ne u bëjmë thirrje kolegëve tanë që na mbështesin nga larg, të bashkohemi të gjithë për të tashmen tonë, e të ardhmen akoma më të mirë për neve.
Ne jemi më të fortë se kurrë, ne jemi më të bashkuar se kurrë, e për këtë NE DO TË FITOJMË.
Historia ka dhënë një leksion të qartë e bindës, E DREJTA DO TË FITOJË GJITHMONË!
Ne kemi edhe një thirrje të fundit, për qeverinë, kryeministrin, ministren e arsimit dhe çdo person që ka kartonin në dorë: Shfuqizojeni Ligjin e Arsimit të Lartë e plotësoni kërkesat e studentëve, një nga një. Në çdo rast në rrjeshtat e historisë do të shkruhet për JU. Ose do të ngelni në histori si ata që e bënë këtë vend, e bënë arsimin në Shqipëri cilësor, ose do të mbeteni në historinë e këtij vendi që shkatërruat gjithçka, e vratë dijen. Sot është në dorën tuaj ta shkruani historinë: Bëni që shqiptarët të ndihen një herë të vetme krenar me ata që votuan, e mos bëni që çdo bir shqiptari tu mallkojë, sot nesër e përjetë!
#Bashkohuni me ne