3 nëntor 2015 – Me qindra studentë të diplomuar për vitin akademik 2014- 2015 në sistemin “Bachelor” në universitetin “Aleksandër Moisiu”, por edhe qindra të tjerë të diplomuar në dy vitet e fundit në sistemin part time, nuk janë pajisur me kartonët e diplomave të tyre, pavarësisht se e kanë përfunduar diplomimin. Përjashtim kanë bërë pak studentë, sepse pjesa më e madhe e tyre nuk kanë mundur të marrin diplomat. Mungesa e kartonëve të diplomave ka sjellë si shqetësim kryesor mosvijimin e studimeve të mëtejshme në nivelin e dytë. Studentët e kanë bërë publik problemin e tyre gjithandej, por nuk kanë arritur të marrin asnjë zgjidhje konkrete.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, rektori i universitetit të Durrësit, Mithat Mema, deklaroi se kjo situatë vjen si pasojë e procedurave burokratike të Ministrisë së Arsimit, e cila nuk bën regjistrimin në kohë të diplomave të studentëve. Duke u ndalur te mungesa e diplomave të sistemit full time, Mema tha se prodhimi i kartonit kalon në procese burokratike midis fakulteteve, sekretarive etj.

Për sa i përket sistemit part time, ka dy vjet që nuk është dhënë asnjë diplomë. “Edhe për këta studentë është çuar dokumentacioni në Ministrinë e Arsimit, dhe prej më shumë se 18 muajsh, kemi korrespondencë me Mistrinë e Arsimit për regjistrimin e studentëve të diplomuar.

Si zgjidhje, studentëve iu mbetet vetëm të marrin vërtetime që kanë përfunduar fakultetin në Durrës, në mungesë të diplomës. Sipas rektorit, këto vërtetime do t’iu njihen nga universitetet e tjera në vendin tonë, pasi të gjitha universitetet kanë të njëjtin problem me dhënien e diplomave. Nga ana tjetër, studentëve nuk iu intereson aspak sa letra shkëmbejnë në vit me postë universiteti me Ministrinë, por iu duhet diploma për vitet që janë arsimuar. Universiteti i Durrësit dhe Ministria e Arsimit po shkëmbejnë letra me postë për diplomat e universitetit.

/K.H. portali DurresLajm/