5 nëntor 2015 – Kanë orë të tëra që presin në radhë. Në orën 16:00 pasdite radhët ishin po njësoj përpara sekretarisë, dhe askush prej tyre nuk e di çfarë do të bëhet me vitet e studimit. Asnjë prej të diplomuarve nuk merr dot vërtetim për fakultetin në të cilën ka studiuar. Janë në një situatë të tillë të gjithë studentët e diplomuar në filialin e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Peshkopi, që kanë mbetur pa vërtetime e pa diploma, në udhëkryq për të ardhmen e tyre.
Të enjten në orën 16:00 mbyllet afati i dorëzimit të dokumentacionit për aplikantët që duan të vijojnë masterin, por asnjë prej tyre nuk ka vërtetime të fakultetit të përfunduar. Ky filial është mbyllur me vendim qeverie, por studentët e diplomuar aty, kanë mbetur jo vetëm pa diploma, por nuk mund të vazhdojnë as ciklin e dytë të studimeve. Një pjesë e tyre kanë protestuar, ndërsa afati për regjistrimet në master rrezikon t’iu digjet, për shkak se nuk pajisen as me vërtetime e listë notash nga sekretaria e universitetit në Durrës.
Kanë përfunduar në degët Administrim Biznes, Kimi-Biologji, Shkenca Sociale etj, por nuk kanë mundësi të pajisen as me listë notash, sepse Ministria e Arsimit nuk ka bërë të mundur regjistrimin e tyre si të diplomuar.
Në muajin mars të 2015-s, me vendim qeverie, universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu” iu mbyll filiali në Peshkopi dhe i ul numri i programeve dhe kuotave. Në total i janë mbyllur 6 programe studimi, të cilave qeveria nuk u ka miratuar asnjë kuotë pranimi për vitin e ri akademik, pra nuk do kenë studentë të viteve të para. Por në këto degë do të vijojë normalisht puna me studentët e viteve të mëparshme.
/K.H. portali DurresLajm/