Pas rreth 3 orësh, studentët kanë zhbllokuar qarkullimin e automjeteve tek ‘Zogu i Zi’. Një grup studentësh kishin bllokuar rrugën që prej orës 14:00 të ditës së sotme në shenjë proteste.

Pas zhbllokimit të qarkullimit te makinave, studentët i janë drejtuar Kryeministrisë, aty ku po protestojnë prej 13 ditësh për plotësimin e 8 kërkesave të tyre.

Studentët e universiteteve publike për disa orë me radhë u mblodhën para Kryeministrisë në një protestë kombëtare. Rreth orës 09:00 studentët nisën të mblidhen nëpër fakultetet e tyre, ndërsa kanë gjetur forma të veçanta, duke vendosur shirita apo dhe zinxhirë nëpër dyert e këtyre institucioneve, për të pezulluar kështu mësimin.

Me thirrje në kor; ‘plotësoni kërkesat’, ‘I duam tarifat sa Erjon Braçe’ studentët u stacionuan para Kryeministrisë, në pritje që të tjerë t’i bashkohen protestës.