Plotësimi i vendeve vakante në arsim me mësues, që përfundojnë arsimin e lartë me rezultate të larta mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit arsimor në vend. Në analizën vjetore të Drejtorisë Rajonale e Arsimit Parauniversitar Durrës është evidentuar ky shqetësim, që duket se më shumë prek lëndët shkencore.

“Një nga vështirësitë që kemi më shumë për ofrimin e një shërbimi cilësor është fakti, që nëpër universitetet tona studentët me mesatare të lartë nuk na ofrohen drejt profesioneve të mësuesisë. Përgjithësisht në lëndët matematikë, informatikë etj i kemi pasur më me kursim këto mësues”,- thotë drejtori i DRAP Durrës, Hazbi Lika.

Rritja e pagave në sistemin arsimor, e premtuar nga qeveria Rama duket se do të minimizojë në të ardhmen këtë problematikë. 4 vite më parë, sistemi arsimor pësoi një goditje të rëndë prej tërmetit, për shkak të dëmtimit të një numri të konsiderueshëm shkollash, që i janë nënshtruar procesit të rindërtimit.

Për drejtorin Lika, aktualisht punimet në pjesën më të madhe të shkollave janë në fazën finale, ndërkohë që nxënësit dhe stafi pedagogjik e zhvillojnë procesin mësimor në kushte shumë bashkëkohore.

Gjatë analizës vjetore të arsimit në qarqet Durrës, Tiranë dhe Dibër theksi është vënë dhe tek lëvizja demografike e popullsisë, që shoqërohet në disa zona me ulje të ndjeshme të numrit të nxënësve ose mbylljen e shkollave.

“Me lëvizjet e popullsisë, ky fenomen, pra mbyllja e shkollave, ndodh. Shkollat të cilat janë vartëse mund të vijnë në shkollat qendër, ndërkohë që shkollat qendër mund të mbyllen dhe u takon të lëvizin në një shkollë tjetër. Eshtë një fenomen që shoqërohet me lëvizjen e popullsisë në zonat urbane dhe suburbane. Arsye tjetër është pakësimi i lindjeve, që në Shqipëri është një fenomen i kohës”.

Në bashkinë Durrës, në vitin 2022 u regjistrua një ulje me 2% e numrit të nxënësve në arsimin 9-vjeçar dhe 8% në arsimin e mesëm.

M.B.