Pavarësisht reshjeve të shiut, mijëra studentë nuk e kanë ndalur protestën e tyre përballë Ministrisë së Arsimit.
Por në ditën e katërt të protestës studentore ka pasur tension, kjo pasi banorët e “Astirit” që protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre në kuadër të projektit të “Unazës së Madhe” të Tiranës kanë tentuar t’i bashkohen studentëve dhe këta të fundit kanë kundërshtuar.
“Jo ne do të bëhemi gardh studentësh. Dhe nuk ndalojmë. Ata mund të na bashkohen vetëm nëse dalin me pankartat tona dhe thirrjet në mbështetje tonë”, thanë në nisje të protestës, studentët duke ju referuar një tentative për bashkim nga banorët e “Astirit”.
Dhe ajo të cilës i druheshin ka ndodhur pasi banorët e “Astirit”, fillimisht të inkuadruar tek e tek si prindër brenda grupit masiv të studentëve, e më pas të gjithë bashkë janë gjendur krejt papritur mes tyre.
Në këtë moment ka nisur tensioni dhe një kordon studentësh i kanë larguar banorët e Astirit, duke ja bërë të pamundur bashkimin me protestën e tyre para Ministrisë së Arsimit.
Një pjesë e studentëve janë dakord që banorët t’i bashkohen protestës, ndërkohë një pjesë tjetër nuk e lejojnë. Ata që janë pro, thonë se bashkimi bëhet me kusht që banorët e “Astirit” të vijnë të protestojnë për kauzën studentore, ndërkohë që ata që janë kundër i druhen politizimit të protestës.
Ndërkohë midis dy grupeve të protestuesve u vendos një kordon policie për të shmangur tensionin.
Një banor i Astirit u shpreh për mediat: “Protesta jone është pasdite, ne kemi ardhur për solidaritet. Kërkesat tona janë ekonomike, po mbrojmë shtëpitë”.





