19 nëntor 2015 – Skuadra e Studentit në volejboll për meshkuj është mundur 3-0 në Serbi nga skuadra vendase e Spartak Lig, në ndeshjen e kthimit e turit të dytë te Challenge Cup. Një rezultat i ngjashëm me atë të 6 ditëve më parë në “Asllan Rusi”, duke vulosur edhe eliminimin e ekipit shqiptar nga arena ndërkombëtare.

Por ajo që bie në sy është se këtë herë, paraqitja e kampionëve të Shqipërisë ishte më e mirë se ajo e para një jave, duke rivalizuar më shumë se në Tiranë dhe me pak kujdes mund të kishte fituar dy setet e para. Memia, Rashketa e Qafarena ishin ata që u dalluan sot për Studentin, por përballë një skuadre serbe, që dominon në kampionatin e saj, fitorja ishte një “mision i pamundur”.

Seti i parë është mjaft i bukur, madje janë kampionët e Shqipërisë ata që kanë komandën e lojës në pikët e para. Studenti është më i saktë dhe tenton të befasojë vendasit, duke udhëhequr deri në 8-12. Por gradualisht Spartak nis të rikuperojë, barazon 15-15 dhe pas barazimit të dytë 17-17 shkëputet 20-17.

Studenti nuk heq dorë dhe qëndron gjithnjë një pikë pas vendasve, që në fund fitojnë 25-23. E njëjta pamje edhe në setin e dytë, me Studentin që ka komandën në pikët e para. Pas barazimit 11-11, janë vendasit që kanë një epërsi të lehtë, por pa u shkëputur dot. Studenti barazon 18-18, i fundit për këtë set, pasi serbët sërish avancojnë 22-19 dhe fitojnë 25-21 setin e dytë. Ky disavantazh duket se demoralizon disi Studentin, që edhe pse luan mirë, nuk ka më ritmin e forcën e treguar në dy setet e para.

Gabimet janë të shumta, ndërsa volejbollistët e Spartak, të mbështetur edhe nga tifozët, kanë komandën e lojës. Vendasit shkëputen 5-3, 10-6, 13-9, 19-14 dhe fitojnë setin e tretë 25-16. Një sukses që i dërgon ata në turin e tretë, ndërsa Studenti i trajnerit Ylli Tomorri edhe këtë herë eliminohet që në sfidat e para europiane. Tabuja e eliminimit që në start mbetet për kampionët e Shqipërisë, që mund të krenohen me faktin që luajtën si të barabartë ndaj një skuadre serbe, ndaj një volejbolli që dominon në Europë e botë.

/portali DurresLajm/