Nga Gëzim KABASHI
*Pedagogët propozojnë ndryshime legjislacioni për studentët e talentuar
Studenti i Universitetit të Arteve, Erli Lila sapo i ka festuar 20 vitet e jetës, por tashmë mjaft dëgjues e njohin jo vetëm si pianist, por edhe si kompozitor me të ardhme.
Pedagogët e Universitetit të Arteve e përzgjodhën Lilën para disa javësh mes artistëve të tjerë të rinj për një koncert recital, me rastin e 60-vjetorit të Fakultetit të Muzikës.
Një detyrë e vështirë, të cilën pianisti i ri duket se e ka kaluar me sukses, falë studimeve dhe përvojës si pjesëmarrës në koncerte të tjerë, por edhe falë kujdesit të pedagoges Xheni Turku.
Dr. Edmond Buharaja, pedagogu i tij i Kompozicionit tha se “Erli Lila demonstroi një nivel të konsiderueshëm, që në shumë drejtime tejkalon standartin e institucionit tone”.
Sipas pedagogut, “një arritje e kësisojtë i bën edhe më të mprehta problemet me të cilat përballet studenti premtues apo – siç quhet në lëmin artistik – i talentuar”.
Recitali i Erli Lilës u përgatit nën kujdesin e pedagoges së pianos, doc. Xheni Turku, e cila bashkë me nënën e saj, Linda Zëmblaku, janë dy mësueset, që e kanë ndjekur hap pas hapi rrugën e artistit të ri, që nga klasa e parë fillore në Durrës.
Buharaja pasi vlerëson punën e pedagogeve të pianos në Durrës dhe në Tiranë, flet për problematikat që ndeshet institucioni përballë studentëve të tillë të talentuar në disa fusha.
“Pikësëpari nevojiten ndryshime në nivel legjislacioni, për të sanksionuar mundësinë e diplomave te dyfishta, në rastin konkret: për kompozim dhe pianoforte”.
Sipas pedagogut Ed Buharaja, “kjo do të ndikonte për ngritjen e nivelit në sektorin KMD (Kompozicion-Muzikologji-Dirizhim) ku, jo rrallë, arrijnë studentë me pamjaftueshmëri njohurish dhe aftësish praktike në ekzekutimin instrumental”.
Buharaja nënvizon se, “lypset ndërhyrja e shtetit në mbështetjen e plotë ekonomike për gjithë periudhën universitare për studentët më premtues”.
“Së treti, duhet krijuar kushtet për pjesëmarrjen e tyre në veprimtari ndërkombëtare, master-class, workshop-e si dhe përfshirja në programet e Erasmus-it, këto edhe të shumfishta”.
“Ka ardhur madje koha e investimeve me bursa të plota për studime jashtë vendit – sugjeron pedagogu Buharaja.
Recitali pianistik sipas kompozitorit 20-vjeçar
Koncerti i Erli Lilës prezantoi arritjet e dy degëve të muzikës, pianos dhe kompozicionit, në Universitetin e Arteve.
Djaloshi nga Durrësi i ka hedhur hapat e parë ende pa i mbushur 6 vjeç me mësuesin Niko Deda, për të kaluar më pas nën kujdesin e mjeshtrit Robert Radoja.
Në Liceun “Jan Kukuzeli” ai formohet si artist i ardhshëm falë përvojës së pedagoges Linda Zëmblaku Turku.
Erli Lila bëhet në pak kohë fitues i disa çmimeve speciale në konkurset mbarëkombëtare te performancës në piano si “Chopin”, “Epta” etj.
Në konkursin”Netët e Muzikës Klasike” në Durrës fiton dy herë çmimin e Parë.
Në koncertin recital të Tiranës një muaj më parë, ai interpreton bashkë me Rapsodinë në Blu të George Gershwin, edhe disa vepra të shkruara prej vetë atij: Variacionet me temë të dyfishtë , një Fantazi vokale por të luajtur në piano, si dhe dy Miniatura të shkruara vitin e kaluar.
Artisti 20-vjeçar thotë se “ideja e temave të dyfishta ishte e pedagogut Buharaja, me qëllim njohjen më të thellë të parimit variacional dhe si formë jo shumë e përdorur në vendin tone”.
Erli Lila beson te eksperiencat e tij personale në kompozim si dhe në gjendjet, të cilat ka dashur ti shprehë në një formë e cila e tejkalon atë të fjalëve.
Frymëzimi për Temën me variacione , të titulluar “A song that only I sang” , vjen nga historia me një vajze – shprehet shumë sinqerisht Lila. “Besoj ndjenjat e afeksionit dhe romancës janë inspirim për shumë vepra të tjera”.
Kompozitori pianist shton se “krahas kësaj kam dashur ta trajtoj në një sens narrativ , duke e lidhur dhe me formën e paracaktuar të veprës .
“Dy temat janë trajtuar si dy personazhe të cilët sapo e njohin njeri tjetrin , dhe variacionet janë ndryshimet që kalojne ata dhe gjendjet e influencuara nga njeri tjetrin”-shprehet Lila.
“Pas uljeve dhe ngritjeve në të dy kontekstet e veprës arrin në konkluzionin se pavarësisht ndjenjës, ti mëson ta lesh një person të shkojë, si dhe vetë idenë e krijuar për atë person aq të rëndësishëm- nënvizon Lila . Edhe pse me një brengë të pashmangshme.”
Me të njejtën qartësi kompozitori I ri tregon edhe mbi Fantazinë vokale:
“Me anë të gërshetimit të një gjuhe të pastër harmonike, deri diku fare të thjeshtë , dhe atonalizmit me elemente impresionistë dhe kromatikë jam përpjekur të emuloj ndjenjën mes ëndrrës dhe realitetit”.
“Unë preferoj varietet në krijimtari – shprehet për kompozimet e tij Erli Lila. Për cdo vepër “të rëndë” , dua të shkruaj dhe diçka tjetër më të thjeshtë. Si diçka më “për qejf” si për mua dhe për dëgjuesin.
Sidomos në një koncert recital ku luhet vetëm në një instrument, piano në këtë rast , për të mbajtur vemendjen e një dëgjuesi dhe më e rëndësishmja , që ai ta shijojë kohën e tij, ka nevoje për thyerje”.
“Krahas kësaj, muzika si çdo art tjetër, ka dy anë ku mund të shprehë emocione, të tregojë histori dhe të japë mesazhe në mënyre të thellë për këdo që dëgjon. Dhe të bëjë të njejtën gjë në një mënyrë të thjeshtë dhe argëtuese. Por gjithmonë me një balancë mes të dyjave, pa humbur integritetin artistik” – përfundon pianisti kompozitor Erli Lila.