Protesta e studentëve ka vazhduar edhe sot me kërkesën për shkarkimin e profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i cili po akuzohet nga studentët për ngacmim seksual.
Studentët nuk po e lejojnë të dalë nga salla ku është mbajtur mbledhja e Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës. Madje një prej studenteve me lot në sy iu drejtua profesorit: Më ke pyetur a dëshiron të bëj një masazh?
Profesori Xhevat Krasniqi po akuzohet nga 27 studentë për ngacmim seksual. Lëvizja Feministe Studentore për të disatën ditë me radhë po proteston para rektoratit të UP-së, e kësaj radhe në sallën e Administratës Qendrore të UP-së, ku edhe nuk lejuan daljen e profesorit nga salla, ku kanë hyrë edhe zyrtarët policorë.