41% e të rinjtë në të gjithë botën po përballen me sfida më të mëdha të shëndetit mendor dhe të jetës së përditshme se sa brezat më të vjetër. Një studim i kryer përmes sondazheve online nga Sapien Labs, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Shtetet e Bashkuara ka nxjerr në pah se Europa ka një performacë më të dobët krahasuar me kontinetet e tjera sa i takon shëndetit të mendjes.

Studimi identifikon katër faktorë kryesorë që lidhen me gjendjen mendore të të rinjve: lidhjet e dobëta familjare, niveli i ulët i spiritualitetit, përdorimi i hershëm i smartphonëve dhe konsumi i lartë i ushqimeve ultra-të përpunuara.

Të anketuarit raportuan vështirësi në kontrollin emocional, menaxhimin e marrëdhënieve dhe aftësinë për t’u përqendruar.

Hulumtimi tregon se të rriturit mbi 55 vjeç mbeten rreth nivelit normal prej 100 pikësh dhe vetëm 10% e tyre kanë probleme të lidhura me shëndetin mendor, ndërsa personat 18–34 vjeç kanë mesatarisht vetëm 36 pikë, dhe 41% raportojnë vështirësi të konsiderueshme të shëndetit mendor.

Ekspertët thonë se  kriza e shëndetit mendor te të rinjtë është përkeqësuar nga brezi në brez dhe është thelluar gjatë pandemisë COVID-19, pa shenja rikuperimi të plotë.

Sipas studimit, disa vende evropiane renditen ndër më të dobëtat globalisht për mirëqenien mendore të të rinjve. Italia është vendi evropian me rezultatin më të mirë duke u renditur e 20-ta mes 84 shteteve ndërsa vendet me performancën më të dobët janë Irlanda, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar .