Qendra “Faktoje” ka prezantuar sot përfundimet e studimit lidhur me performancën e transparencës në kuadër të monitorimit 1-vjeçar në 10 bashki të vendit.

Kryeredaktorja e kësaj qendre, Viola Keta, duke u ndalur tek performanca e bashkisë Durrës vlerësoi se krahasuar me vitet e kaluara, ajo ka qenë në përmirësim, me disa pikë përqindje, duke u renditur e katërta mes 10 institucioneve vendore të monitoruara.

“Po t’i referohemi zbatueshmërisë së indikatorëve që lidhen me transparencën dhe ligjet e pushtetit vendor për këtë vit kemi një rezultat prej 81% të zbatueshmërisë së këtij kuadri ligjor. Kemi një përmirësim në krahasim me vitin e kaluar ku Durrësi regjistroi një realizim të indikatorëve prej 75%”.

Përgjatë monitorimit 1-vjeçar, rëndësi i është kushtuar përmbushjes së premtimeve elektorale për zgjedhjet e majit 2023. Nga 40 premtime elektorale të monitoruara në 10 bashki, 24 prej tyre (70%) nuk janë mbajtur nga kryebashkiakët, ndërsa vetëm 5 janë mbajtur plotësisht.

Në bashkinë Durrës, vetëm një premtim rezulton i mbajtur, 2 janë të pambajtur, ndërsa një tjetër është realizuar pjesërisht.

“Rindërtimi në lagjen nr.5, ku ka një numër të konsiderueshëm godinash të dëmtuara nga tërmeti rezulton premtim i pambajtur. Njëkohësisht premtim i pambajtur është ndërtimi i parkimit publik, i cili është nën monitorimin e vazhdueshëm të qendrës “Faktoje”. Ndërtimi i Qendrës Kulturore të Fëmijëve rezulton premtim i mbajtur pjesërisht, ndërsa rikonstruksioni i dy rrugëve në njësinë administrative “Sukth” është premtim i mbajtur”,- tha Keta.   

Mes 10 bashkive të monitoruara, rezulton se institucioni i qeverisjes vendore në Kavajë ka nivelin më të ulët të transparencës, vetëm 18.7%.

M.B.