Prej disa vitesh Ballkani po përjeton një rritje domethënëse të rrezikut politik. Një situatë e tillë, është fryt i një përzierje elementësh mes të cilave nacionalizmat, konfliktet etniko-fetare, problemet e pazgjidhura territoriale dhe celulat e ekstremizmit të kalibrit islamik.
Instituti për studime ndërkombëtare politike, ISPI, i themeluar në 1934 dhe i specializuar në çështjet ndërkombëtare nënvizon se në tërësi, rreziku politik i rajonit është mbi mesataren, ndërkohë që në vende të ndryshme niveli është i ndryshëm. Më i lartë mbetet sipas institutit rreziku në Kosovë, pasuar nga Bosnja, Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi.
E kjo, është e lidhur me praninë e faktorëve heterogjenë të destabilitetit në gjeografi të ndryshme. Sipas ISPI, zgjedhjet e fundit në rajon, janë karakterizuar nga destabilitet i fortë, si në rastin e Maqedonisë, kundërshtime të rezultatit, si në Mal të Zi.
Ato kanë evidentuar edhe mosmarrëveshje të natyrës territoriale e etnike si në Kosovë e Bosnje.Perceptimi i një rreziku politik të lartë dhe ngadalësimi i integrimit evropian, mund të frenojnë, nënvizon instituti, interesin e investitorëve të huaj.
Prania e ndasive politike, etnike dhe territoriale, pjesërisht ka ngadalësuar rrugëtimin e disa vendeve ballkanike drejt BE. E në një situatë të tillë, thotë ISPI, mund të rrezikohen veprat e mëdha të parashikuara në rajon, mes të cilave gazsjellësi trasnballkanik dhe projektet e tjera të infrastrukturës të planifikuara nga BE.
Strategjia politike e vendeve ballkanike dhe roli i BE, vlerëson instituti, do të jenë elemente kyçe në perspektivat e rajonit e nevojiten sipas tij strategji të qarta politikash ekonomike dhe një angazhim më i madh politik drejt reformave që do të përmirësonin klimën e biznesit.
Nga ana tjetër, evolucioni i raporteve me Evropën, do të jetë një element kyç për përshpejtimin apo ngadalësimin e integrimit në BE në vitet në vijim./TCH