TIRANE, 21 mars 2013– Sipas studimit më të fundit të realizuar me fëmijët e moshës 6-12 vjeç në kryeqytet nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal, vihet re një rënie e numrit të dhëmbëve të prishur tek fëmijët, duke e çuar nga 5, në mesatarisht 2 ose 3 dhëmbë të prishur për fëmijë.
Të dhënat janë bërë publike në Ditën Botërore të Shëndetit Oral, ndërkohë që përmirësim i ndjeshëm vihet re kryesisht tek fëmijët 6 vjeç, ku pothuajse 80% e tyre nuk paraqesin fare probleme. Gjithashtu, me qëllim parandalimin e sëmundjeve të dhëmbëve, stomatologët e shkollave iu kanë dhënë fluor mbi 10 mijë nxënësve të arsimit fillor. Në krahasim me 2011-ën, janë silanuar 2 herë më shumë dhëmbë të nxënësve, pra nga 849, në 1554.
Ndërsa, vizita stomatologjike kanë përfituar pothuajse të gjithë nxënësit e arsimit fillor e atij të mesëm më shumë se një herë në vit. Ndërkohë që, në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit Oral, ASHR-ja ka organizuar edhe aktivitete sensibilizuese në shkolla të ndryshme të kryeqytetit, ku
janë dhënë mesazhe të rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve të dhëmbëve, duke nisur nga higjiena, kontrollet dhe ushqimet që zgjedhin për t'u konsumuar nga nxënësit.
Në aktivitet u raportua dhe interesi i nxënësve dhe prindërve për t'i mjekuar fëmijët pranë laboratorëve dentarë të shkollave, pasi të gjitha shkollat në kryeqytet janë të pajisura me laborator dhe dentist. Shërbimi shëndetësor në shkolla mbulon një numër prej 62 000 nxënësish dhe vizita nga stomatologët janë kryer pothuajse dy herë për çdo nxënës, rreth 120 mijë.





