A e dinit se koha që keni kaluar pranë detit apo liqenit në fëmijëri, do t’ju mundësonte një shëndet më të mirë mendor në moshën tuaj të rritur?

Ky është një nga studimet më të fundit dhe lidhet me ndikimin që kanë hapësirat blu apo jeshile tek ne.

Studimi i Qendrës Evropiane për Mjedisin dhe Shëndetin e Njeriut në Universitetin e Exeter u krye në formën e sondazhit, ku morën pjesë 15.000 njerëz në 14 vende nga Europa, Kanadaja, Hong-Kong dhe Australia.

Pjesëmarrësve iu kërkua të kujtonin përvojat e tyre në “hapësirat blu” deri në moshën 16-vjeçare, sa shpesh i vizitonin, sa të lidhur ishin me to dhe sa shpesh i lejonin prindërit të frekuentonin këto hapësira.

Ata u pyetën edhe për kontaktin e tyre të fundit me hapësirat blu brenda 4 javëve të fundit dhe se si ishte gjendja e tyre mendore në dy javët e fundit.

Në përfundim të studimit, doli në pah se të kalosh kohë në hapësira blu, ndikon në një shëndet të mirë mendor, citon The Independet.co.

Valeria Vitali, një studente doktorature në Universitetin Sapienza në Romë, tha: ”Në kontekstin e një bote gjithnjë e më teknologjike dhe industriale, është e rëndësishme të kuptojmë se si përvojat e natyrës në fëmijëri, lidhen me mirëqenien në jetën e mëvonshme.”

Dr. Leanne Martin nga Universiteti i Exeter tha: “Ky kërkim, sugjeron se mbështetja e fëmijëve për t’u ndjerë rehat në këto vende dhe për të zhvilluar aftësi të tilla si noti që në moshë të hershme, mund të ketë përfitime gjatë gjithë jetës, për të cilat më parë nuk ishim në dijeni.”