Një studim i ri shkencor i publikuar këtë javë, në prag të shpalljeve të çmimeve Nobel për vitin 2024, hedh dritë mbi pabarazinë e mundësive në shkencë.

Ky studim, i udhëhequr nga ekonomistët Paul Novosad, Sam Asher, Eni Iljazi dhe Catriona Farquharson, fokusohet në analizimin e kushteve socio-ekonomike të fituesve të Nobelit në fusha shkencore nga viti 1901 deri në 2023.

Sipas të dhënave biografike të mbledhura, fituesit e Nobelit, mesatarisht, kanë ardhur nga familje që ndodhen në përqindjet me te larta të të ardhurave dhe edukimit — kryesisht nga familje në 10% më të lartë të gjëndjes socio-ekonomike.

Ky fakt tregon një pabarazi të konsiderueshme në mundësitë për të hyrë në shkencë, ku një pjesë e madhe e talenteve të mundshme mbeten të pazbuluara. Studimi tregon se pavarësisht përmirësimeve që kanë ndodhur nga fillimi i shekullit të 20-të, pjesa dërrmuese e fituesve të Nobelit vazhdon të vijë nga familje të privilegjuara.

Për shembull, femrat fituese të Nobelit (vetëm 4% e fituesve ndër vite) vijnë nga familje akoma më të pasura se kolegët e tyre meshkuj — nga familje në përqindjen e 91-të të të ardhurave. Kjo gjë tregon se deri diku avantazhet familjare kompensuan disa nga pengesat me të cilat përballen gratë në shkencë.

Një tjetër gjetje interesante është se ndërsa vendet perëndimore kanë pasur disa përmirësime në përfshirjen e talenteve dekadat e fundit, pabarazitë midis vendeve të pasura dhe vendeve të varfra kanë mbetur kryesisht të pandryshuara gjatë një periudhe prej 125 vitesh.

Studimi thekson rëndësinë të zbulimit dhe zhvillimit të talenteve shkencore për ekonominë globale. Zbulimet shkencore sjellin përfitime të mëdha për shoqërinë, duke qenë nxitëse kryesore të inovacionit dhe rritjes ekonomike.

Kur talente të rëndësishme mbeten të pazhvilluara për shkak të pabarazisë së mundësive, kjo jo vetëm që ndikon në padrejtësinë sociale, por gjithashtu dëmton progresin shkencor dhe ekonomik të njerëzimit. Studimi sugjeron që shoqëritë do të përfitonin ndjeshëm nga masa të cilat zgjerojnë bazën e talenteve, duke kontribuar kështu në rritje të inovacionit dhe përmirësim të mirëqenies globale.

E vetmja shqiptare pjesë e ekipit të ekonomistëve që realizuan studimin është Eni Iljazi, një ekonomiste shqiptare që aktualisht është studente doktorature në Economi në Wharton (Universiteti i Pensilvanise). Ajo ka mbajtur pozicione kërkimore në Bankën Botërore dhe në Yale University dhe ka përfunduar studimet Master në Ekonomi në London School of Economics.