Së fundmi, shkencëtarët kanë zbuluar se shenjat e kancerit mund të shfaqen dekada përpara se të diagnostikohet sëmundja. Studiuesit kanë mësuar se mutacionet gjenetike, që ushqejnë rritjen e tumoreve shpesh ndodhin shumë vite para se të zbulohet kanceri.
Sipas studimit, ato mund të zhvillohen që në fëmijëri. Kjo do të thotë që një ditë, fëmijët mund të kontrollohen për mutacione gjenetike për të parandaluar sëmundjen e tyre.
Ekipi ndërkombëtar i studiuesve tha se është e jashtëzakonshme që disa ndryshime kanë ndodhur vite përpara diagnozës, madje edhe në inde që duken normale.
Doktori Peter Van Loo, nga Instituti Francis Crick në Londër i përfshirë në studim tha: Ne kemi hartuar afatet e para të mutacioneve gjenetike në llojet e kancerit. Tani e dimë se çfarë ndryshimesh specifike gjenetike ka të ngjarë të ndodhin dhe kur do të ndodhin.
Sipas studimit, tashmë mund të jetë e mundur të zhvillohen teste të reja diagnostikuese, që arrijnë të kapin shenjat e kancerit shumë më herët.
Kanceri ndodh kur mutacionet futen në qelizat e shëndetshme ndërsa rriten dhe ndahen. Shumica prej tyre nuk i ndryshojnë dukshëm qelizat tona, disa janë të dëmshme dhe shoqërohen me rritjen e tumoreve.