Dhurimi apo donacioni, një veprim spontan që buron nga personaliteti apo në varësi të situatave të ndryshme, është pjesë e kulturës së një vendi dhe pjesë individuale e gjithkujt. Dhurimi është një akt i bukur dhe domethënës, i cili shpesh mund të jetë në dëshirën e dikujt, por më pak e gjen aplikimin konkretisht, duke u reflektuar në veprim. Një studim i kryer në Shqipëri gjatë periudhës maj-qershor 2020 nga Msc. Mateus Habili dhe Dr. Reila Bozdo, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, arrin të krijojë një tablo se çfarë ndodh me fenomenin e bamirësisë dhe dhurimit në vendin tonë.

Ndërgjegjësimi dhe ndihma e biznesit është rritur dhe është bërë më gjithëpërfshirës, në industri të ndryshme, madhësi të ndryshme biznesi dhe forme. Ky fenomen i quajtur CSR (Corporate Social Responsibility) dhe në shqip PSK (Përgjegjësia Sociale e Korporatës) është i pandarë nga biznesi dhe ka implikimet e tij në biznes. CSR është “zëri” i biznesit dhe nëpërmjet CSR, biznesi komunikon anën e tij humane, bamirëse, përgjegjëse, kontribuuese për komunitetet.

Kjo veprimtari përkthehet në imazh më pozitiv për kompaninë, më shumë blerje, reputacion pozitiv, punonjës më të kënaqur. CSR në Shqipëri është ende në fazë fillestare, por kontributi nga biznesi shihet se ka tendencë rritje.

Të pyetur për emrat e kompanive që bëjnë akte bamirësie, të anketuarit në këtë studim u përgjigjën se Balfin Group zë pjesën më të madhe me 66%, e ndjekur nga kompani të tjera me aktivitet në Shqipëri si Big Market, Agna Group, Telekom, Kastrati, Vodafone, etj.

Në grupin biznesmenëve të cilët njihen për kontributin e tyre social udhëheq Samir Mane, President i Grupit Balfin, i ndjekur nga Behxhet Pacolli, Agron Shehaj, Shefqet Kastrati, etj.

Ndërsa të pyetur për emrat e individëve të cilët bëjnë akte bamirësie, të anketuarit përmendën Elvis Naçi, me 52% dhe Arbër Hajdari, me 29%, pjesa tjetër e përgjigjeve është shumë e fragmentarizuar.

Në studim gjithashtu evidentohet fakti se konsumatorët janë të gatshëm të blejnë produkte nga biznese, të cilat dhurojnë për problematikat sociale, duke treguar gatishmëri në masën 6.47 nga 10. Ky element mund të konsiderohet i rëndësishëm për biznesin dhe përfitimet e tij nga përkushtimi në kauza sociale dhe bamirësi.

Studimi me titull “Cilat janë çështjet sociale që sjellin impakt për konsumatorët, në mënyrë që investimi nga biznesi të sjellë përfitime?”, është zhvilluar në maj-qershor 2020, me një kampion prej 935 të anketuarish në të gjithë vendin (mosha mesatare 33.4 vjeç dhe ndarja gjinore 59% femra dhe 41% meshkuj).

/Monitor